Pejgamberi (ﷺ) ka thënë:
“Kur një njeri vdes dhe familja e tij është e angazhuar me varrosjen e tij, mbi kokën e tij do të qëndrojë një njeri me pamje të këndshme. Kur të vdekurin e varrosin ai njeriu vjen dhe vendoset në mes të tokës dhe gjoksit të të ndjerit. Pas varrimit, të gjithë njerëzit kthehen në shtëpi, kurse dy melekë, Munkiri dhe Nekiri, vijnë deri te varri dhe përpiqen ta largojnë atë njeriun, që të mund ta marrin në pyetje vetmas të vdekurin rreth fesë së tij.
Mirëpo ai njeriu me pamje të bukur thotë: ‘Ai është bashkudhëtari im, miku im. Unë nuk do ta lë vetëm në asnjë çast. Nëse ju jeni të dërguar për ta marrë në pyetje, ju kryene punën tuaj … Unë nuk mund ta lë deri sa ta dorëzojë në xhenet.’
Pas kësaj, ai i kthehet shokut të tij të vdekur dhe i thotë: ‘Unë jam Kurani të cilin e ke lexuar, nganjëherë me zë të lartë dhe nganjëherë pa zë. Mos u shqetëso. Pasi të pyesin Munkiri e Nekiri, nuk do të kesh kurrfarë mjerimi.’
Kur të përfundojë marrja në pyetje, ky njeriu i bukur bashkë me melekët e xhenetit do t’ia përgatisin atij në xhenet një shtrat prej mëndafshi të mbushur me aromë misku.”
Pejgamberi (ﷺ) ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit, para Allahut, asnjë ndërmjetësues nuk do të ketë status më të madh se statusi i Kuranit, as Pejgamberi as melekët!”
E lusim Allahun e Madhërishëm të na udhëzojë, të na mëshirojë dhe të na falë! Amin !
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)