Çmimi i poshtërimit është shumë më i madh se çmimi i dinjitetit

358

Sejjid Kutub

Disa shpirtra të dobët imagjinojnë se dinjiteti paguan taksë të rëndë, kështu që e zgjedhin poshtërimin për t’i shmangur ato kosto të rënda dhe jetojnë jetë të parëndësishme, të lirë, të frikshme dhe me ankth, të frikësuar nga hija e saj dhe të ndarë nga jehona e saj: “… Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre…” (el-Munafikun, 4)

Këta njerëz të poshtëruar paguajnë taksë që është shumë më e rëndë se kostoja dhe çmimi i dinjitetit. Ata paguajnë taksën e plotë të poshtërimit. E paguajnë me jetën e tyre, e paguajnë me fatin e tyre, e paguajnë me reputacionin e tyre dhe shpesh e paguajnë edhe me gjakun dhe me pasuritë e tyre, pa e kuptuar as vetë.

Ata mendojnë se në këmbim të nderit dhe dinjitetit që (shesin) marrin afërsinë e njerëzve me reputacion dhe pushtet, ndërsa e paguajnë me përulësi taksën e poshtërimit. Megjithatë, ka shumë përvoja që na zbulojnë se të përulurit janë hedhur  si mbeturina nga zotërinjve të tyre, të cilët ata i adhuronin në vend të Allahut.

Sa shumë njerëz ka që e kanë shitur burrërinë dhe humanitetin e tyre; e kanë përbaltur ballin e tyre në dheun nën këmbët e zotërinjve të tyre; janë nënshtruar dhe përulur; kanë sakrifikuar të gjitha vlerat e jetës njerëzore, të gjitha gjërat e shenjta të njohura për njerëzimin dhe të gjitha amanetet me të cilat i ka ngarkuar Allahu, si dhe ato të cilat ua kanë besuar njerëzit. Pastaj në fund, ata u bënë të lirë dhe të pavlerë edhe për zotërinjtë që i përdornin si qen të ulët, zotërinjtë për të cilët gulçonin, bënin mëkate dhe zhyteshin në baltë për t’i kënaqur ata.

Sa shumë ka nga ata që kanë mundur të ishin të nderuar e fisnikë, që ta mbronin amanetin e besuar, që ta ruanin dinjitetin e së vërtetës dhe dinjitetin e njerëzimit. Madje edhe në vendin dhe pozitën prej të cilës kishin frikë dhe nga e cila askush nuk kishte ndikim të drejtpërdrejtë tek ai.

Kur njeriu e tradhtoi amanetin që kishte në duart e tij, kur shfaqi dobësi para çmimit të dinjitetit, atëherë u turpërua nga ata që kishin frikë prej tij; u poshtërua nga ata që kishin frikë nga e vërteta e cila atij iu besua për ta ruajtur. Ai u bë i lirë në sytë e atyre që u përpoqën ta blinin, aq sa refuzuan që ta blinin, kurse më pas u hodh ashtu siç hidhet një kufomë dhe shkelet nën këmbët e atyre që i servileshin kur ai kishte reputacion dhe autoritet.

Të shumtë janë ata që kanë rënë nga lart poshtë dhe askush nuk ka treguar dhembshuri dhe keqardhje për ta. Çdo ditë ne jemi dëshmitarë të viktimave të reja që paguajnë çmimin e plotë të poshtërimit; viktima që tradhtojnë Allahun dhe njerëzit duke sakrifikuar ndershmërinë dhe dinjitetin; viktima që gulçojnë në thembra të zotërve të tyre dhe që gulçojnë për premtime dhe vegime.

Në jetën time të shkurtër kam qenë dëshmitar i dhjetëra atyre që ulën kokën para dikujt tjetër përveç Allahut të Plotfuqishëm, duke mbajtur barrën e poshtërimit, me kurriz të përkulur dhe me kokë të ulur.

I shihja duke ikur nga krenaria e tyre që të mos u kushtonte asnjë dërhem, ndërsa ata paguanin kova me ar për poshtërim. I shihja ata të bënin çdo mëkat të madh për të kënaqur një person me prestigj ose autoritet, ndërsa ata vetë patën rastin dhe mundësinë që atyre t’ua kenë frikën personalitetet dhe pushtetarët.

Sidoqoftë, duhet të ketë taksë që paguajnë individët, grupet dhe popujt. Kështu, ajo taksë ose do të çojë në krenari, dinjitet dhe liri, ose e kundërta, në poshtërim dhe robëri.

Ata që kanë frikë nga vlera e lirisë; ata që i frikësohen pasojave të dinjitetit dhe ata që hedhin fytyrën nën këmbë, ata e tradhtojnë besimin, e tradhtojnë dinjitetin e tyre dhe humanizmin e tyre dhe i tradhtojnë sakrificat e mëdha që njerëzit e tyre kanë bërë për t’u çliruar dhe shpëtuar.

Të gjithë ata i ftoj që ta shikojnë historinë dhe përvojat e fundit, dhe të mendojnë për shembujt e përsëritur që dëshmojnë se taksa e poshtërimit është më e madhe sesa taksa e dinjitetit, se kostot e lirisë janë më të vogla sesa kostot e robërisë, se atyre që janë gati të vdesin ju dhurohet jeta, kurse ata që nuk kanë frikë nga varfëria do të fitojnë nafakë të kësaj bote aq sa u nevojitet.

Ka shumë shembuj – nga e kaluara dhe e tashmja – të njerëzve të poshtëruar që kanë shitur ndërgjegjen, kanë tradhtuar amanetet e tyre, kanë tradhtuar të vërtetën dhe janë zhytur në baltë dhe pastaj janç larguar nga kjo botë pa keqardhje, të mallkuar nga Allahu dhe nga njerëzit.

Gjithashtu ka shembuj, edhe pse shumë më pak, të atyre që refuzojnë të poshtërohen, që refuzojnë të tradhtojnë dhe që refuzojnë të shesin njerëzinë, dinjitetin dhe burrërinë e tyre. Ata jetojnë dhe vdesin me dinjitet.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)