Islamicity Index: Zelanda e Re vendi më islamik, BeH e pesta nga të gjitha vendet muslimane

1402

Në një studim të publikuar në vitin 2019, është konstatuar se vendi ‘më islamik’ në botë është Zelanda e Re. Në numrin e fundit të publikuar të  Islamicity Index-it, vetëm dy vende arabe u renditën në 50 vendet më islamike (Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari).

Edhe pse ka mundur të pritet që shtetet më të mëdha muslimane, si Malajzia apo Arabia Saudite, që të jenë në krye të një liste të tillë, ka rezultuar që Zelanda e Re, Suedia dhe Holanda të jenë më konsistente në ndjekjen e mësimeve të Kuranit, thuhet në studim.

Hossein Askeri, profesor i Biznesit Ndërkombëtar dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin George Washington në Shtetet e Bashkuara, njëri nga dy autorët e Indeksit të Islamizmit, së bashku me Scheherazade S. Rehman, në një deklaratë për BBC, ai më herët ka thënë se puna e tyre hulumtuese ka gjurmuar sesi vendet i aplikojnë mesazhet kuranore në jetën shoqërore.

‘Ne kemi monitoruar nëse shtetet kanë bërë atë që duhej ose jo. Kemi monitoruar qeverisjen, të drejtat politike dhe njerëzore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.’

Rezultatet e raportit të fundit kanë treguar se Zelanda e Re, Suedia dhe Holanda, dhe 40 vende të tjera, kanë shënuar rezultat më të mirë se çdo anëtar i Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OIC). Në fakt, anëtarët e radhitur më të mirë të OIC, në listën e fundit të publikuar (për vitin 2018) janë: Emiratet e Bashkuara Arabe (45), Shqipëria (46), Malajzia (47), Katari (47) dhe Bosnja dhe Hercegovina (60 ), ndërsa Arabia Saudite, si djepi i Islamit, renditet në vendin e 85-të në listën e 153 vendeve. Vendi më i populluar musliman, Indonezia, renditet në vendin e 64, ndërsa Turqia renditet në vendin e 95, pas vendeve si Namibia, Shrilanka, Papua e Guinesë së Re dhe të tjera.

Profesor Askeri thotë se arsyeja për renditjen e dobët të vendeve islame është udhëheqja e tyre.

‘Ka njerëz që e përdorin fenë si një mjet të pushtetit dhe legjitimitetit. Ata nuk janë të interesuar për popullin musliman’, thotë profesori Askeri.

‘Mësimet e Kuranit çojnë në liri dhe prosperitet ekonomik, mirëpo, gjërat e tilla nuk janë afër situatës në vendet muslimane’, thekson ai.

Shuma e përgjithshme e vendeve muslimane i rendit ato në vendin e 118 të listës së Indeksit të Islamizmit, i cili publikohet çdo vit. Rezultatet për vitin 2019 nuk janë publikuar ende zyrtarisht, dhe aty do të mund të shohim se a kanë bërë ndonjë përparim vendet muslimane në vitin e kaluar 2019.

Përkthim: Miftar Ajdini

(islampress)