Arabia Saudite pezullon umren për shkak të koronavirusit

626

Arabia Saudite ka pezulluar përkohësisht hyrjen në këtë vend për muslimanët që kërkojnë të kryejnë umren për shkak të frikës nga përhapja e koronavirusit, njoftuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke cituar Ministrinë e Jashtme të Arabisë Saudite, uebfaqja “Arab News” raportoi se pezullimi vlen edhe për ata që kërkojnë të vizitojnë Xhaminë e Profetit në Madine.

Umreja, ose pelegrinazhi më i vogël, mund të kryhet në çdo kohë gjatë vitit.

Koronavirusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, ka ngritur alarm global, me Kinën, vatrën e sëmundjes, duke raportuar mbi 2.700 vdekje ndërsa ekspertët e shëndetit po luftojnë për të gjetur vaksinën kundër virusit.

Jashtë Kinës, virusi është përhapur në mbi 30 vende, përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.