Kur koha ecën më ngadalë…

699
Unter Zeitdruck / Under deadline pressure

Rejhan Neziri

“Duhet blerë sa më shumë që është e mundur, sepse do të mbyllet gjithçka, do të harxhohet gjithçka, e ne do të mbesim duar thatë. Kush bleu, bleu!” – ishte deviza e këtyre ditëve në Zvicër e gjetiu, si pasojë e shpërhapjes masive të frikës e panikut nga virusi corona.

Tanimë që e bëmë pazarin për muaj të tërë dhe u mbyllëm në shtëpi, vërejmë se përfundimisht koha na del, bile-bile e kemi me bollëk, madje nuk dimë as edhe si ta harxhojmë… Gjithçka po lëviz më ngadalë se deri më sot; jeta në tërësi është ngadalësuar… Ne ishim mësuar të ecnim më shpejtë, të lëviznim më shpejtë, të hanim e të pinim më shpejtë – shpeshherë në këmbë ose duke ecur -, të punonim më shpejtë, të nguteshim kur shkonim në punë dhe kur ktheheshim, vizitat edhe ashtu që moti i kishim rralluar tej mase, sepse nuk kishim kohë për të tjerët; ne argëtoheshim më shpejtë seç duhej, pagjumësia që moti ishte bërë shprehi e jona, ne luteshim e faleshim më shpejtë seç kishim nevojë për të, festonim më shpejtë, varrosnim më shpejtë dhe mbanim zi më shkurtër, ngase nuk kishim kohë… me një fjalë, ne jetonim më shpejtë… Këtë e quajtën edhe Burnout (djegie, shuarje, tretje), si një koncept që shpreh disa lloje të krizave personale, të cilat shfaqen si reaksion ndaj stresit dhe mbingarkesës së vazhdueshme në vendin e punës dhe në jetë në përgjithësi. Por, kësaj radhe, për shkak të pandemisë që ka kapluar botën, ne u ndalëm, u stepëm, u shkundëm, erdhëm në vetvete. E kuptuam se paskemi nevojë për pauzë, në fakt për një jetë më të ngadaltë.

Tani kur shumica prej nesh jemi mbyllur në shtëpi, nuk dimë si të sillemi me njëri-tjetrin, sepse që moti nuk jemi bashkë 24 orë në 7 ditë. Kjo për ne, njeriun modern, është një luks i veçantë. Prandaj, nuk dimë çka t’i bëjmë këtij luksi e si të sillemi me të, njësoj si një fukara i cili, për fat të tij, për një kohë të shkurtër arrin të bëhet pasanik: ai nuk di t’i menaxhojë gjithë ato para, gjithë atë pasuri. Si duket edhe ne, modern në jetë por fukara në shpirt, nuk dimë ç’tu bëjmë vlerave dhe pasurisë shpirtërore që na kanë rënë në dorë papritmas, ose më mirë thënë, që na u rikthyen sërish… Prandaj, pikërisht këtu ne jemi të detyruar të vetmohemi fillikat, t’i kthehemi vetvetes me ndjenjat tona, me temat tona të errëta, me jetën tonë të brendshme.

Gjërat që më parë ishin “aq të rëndësishme” për ne, përnjëherë e humbën kuptimin. Ne po reduktohemi tani gjithnjë e më shumë dhe ia kujtojmë vetvetes atë më qenësoren. Ia kujtojmë vetvetes se një rritje e vazhdueshme ekonomike është absolutisht e pamundshme dhe se ajo bëhet pothuajse gjithnjë në kurriz të tjetrit. Si pasojë e kësaj krize të pandemisë, ekonomitë e vendeve tona do të lëngojnë jashtëzakonisht shumë, mirëpo me këtë rast ne kuptojmë se për çfarë në të vërtetë kemi nevojë në jetë dhe se rritja e vazhdueshme ekonomike është një ide absurde e shoqërisë së konsumit, se ne jemi kthyer në marioneta të ekonomisë dhe përfundimisht është koha të kuptojmë sesa pak në të vërtetë që kemi nevojë të konsumojmë, të harxhojmë, se ne mund të jetojmë edhe me më pak. Thjesht, me më pak. Në këtë kohë të mbylljes në shtëpi, të mbylljes në vetvete, ne e kujtojmë të vërtetën e madhe se, megjithëkëtë, e gjithë ajo konkurrencë për më shumë e më shumë para, për më shumë pasuri, për më shumë sende të kësaj bote, mund të bëhen një hiç, një diçka pa vlerë, madje edhe si pasojë e shfaqjes së një qenieje aq të vogël sa është virusi corona.

Ne ia kujtojmë vetvetes se ajo më e shpejta, më e larta, më fitimprurësja nuk është gjithnjë rruga më e mirë. Ne ia kujtojmë vetvetes vlerat e familjes dhe të jetesës bashkë me të tjerët. Ne e rikuptojmë rëndësinë e fjalës familje, fëmijë, prindër, prani e ngrohtësi shpirtërore familjare; e rikuptojmë peshën e ndjenjës së përbashkësisë, se çfarë do të thotë të jetosh bashkë; e rikuptojmë rëndësinë e kohës, të lëvizjes dhe të shpejtësisë por edhe të ngadalësimit, të pushimit, të pauzës. E kuptojmë se raportet familjare dhe dashurinë që mund të na ofrojë familja, s’i zëvendëson dot asgjë. Me mbylljen e çerdheve e të shkollave, kur tanimë fëmijët i kemi gjithnjë në familje, e rikuptojmë se për çfarë në të vërtetë kanë nevojë edhe fëmijët, se ne edhe ata i kemi marrë në qafë duke vrapuar pas asaj të paarritshmes, të pasosshmes, lëndores, materiales; rikuptojmë se edhe ata kanë nevojë për ngadalësim në mësime e në strukturimin e përditshmërisë, rikuptojmë se sa kreativë mund të paskëshin qenë fëmijët tanë në fakt.

Në këto kohë rikuptojmë se teknologjia na e lehtëson jetën në masë të madhe, por ajo nuk na ushqen shpirtin, nuk na dhuron patjetër qetësinë e brendshme për të cilën kemi aq shumë nevojë në çdo kohë. Jemi ne njerëzit ata që mund t’i ofrojmë qetësi, rehati e ngrohtësi njëri-tjetrit. Ta kuptojmë se megjithëkëtë njeriu është qenia më e shtrenjtë në tokë, jeta e tij është më e shenjtë se edhe shumë objekte, mjete pune, transporti e të tjera lëndë materiale. Le t’i rikujtojmë këtu fjalët e Muhammedit a.s. që ia drejtoi Qabesë, pasi kishte bërë tavaf rreth saj: “Sa e bukur je dhe sa aromë të bukur që ke! Sa madhështore që je dhe sa të madhe që e ke shenjtërinë! Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammmedit (pra, pasha All-llahun xh.sh.), shenjtëria e njeriut – gjaku dhe pasuria e tij – është më e madhe te All-llahu sesa shenjtëria jote” (Ibni Maxheh).

Qabeja për ne muslimanët është më i shenjti dhe më i shtrenjti objekt në faqen e tokës, mirëpo njeriu mbetet edhe më i shtrenjtë dhe më i shenjtë se ajo.

Mushkëritë e tokës me dekada të tëra i kemi dobësuar e tkurrur, xhunglat dhe malet e botës i krasitëm shfrenueshëm, pa asnjë kontroll, në emër të mitit të rritjes ekonomike, në emër të prodhimit dhe të konsumit. Është shumë ironike kur shohim se është shfaqur një virus, i cili ia ka mësyrë pikërisht “dobësimit” të mushkërive të njeriut. Ky ia tregon njeriut vogëlsinë e tij kundruall asaj që ka krijuar Zoti. Njeriu shpesh azdiset, rritet në mendje, por vjen momenti kur një virus i imë ia tregon vendin ku e ka, se ai duhet të shkelë me këmbë në tokë. Një virus i vogël ia tregon njeriut pozitën që ai e zë në këtë kozmos, se ai edhe pse mund të bëhet i zoti, ai nuk mund të bëhet zot, se ai mbetet pjesë e pandashme e këtij universi dhe se duhet të kujdeset jo vetëm për vetveten, por për gjithçka që e rrethon atë, me këtë rast duke mos e harruar Zotin e vërtetë.

Për disa javë a muaj sa u ngadalësua bota, sa u ngadalësua lëvizja e njerëzve dhe e mjeteve që lëshojnë gaz në natyrë, shohim se toka po merr frymë më lehtë; delfinët janë shfaqur sërish në brigjet e Italisë, peshqit po notojnë gëzueshëm nëpër kanalet e Venedikut; lëshimi i dioksidit të karbonit në Kinë është reduktuar dukshëm; pas shumë dekadash të mbuluar nga smogu, njerëzit atje mund ta shohin tanimë sërish qiellin e kaltër…

Pra, aty ku ka hije, ka dhe dritë. Dhe ky është lajmi i mirë dhe e mira e madhe.

Pra, ne mund ta ndiejmë veten, me rastin e kësaj situate, të mbi- e të stërngarkuar, mirëpo në të njëjtën kohë diktojmë se edhe në këtë krizë fshihet një shans i madh dhe një mundësi e pashtershme për një kthim, për një shndërrim, për një ndryshim të vonuar që moti. Ky ndryshim do të duhej t’ia lejonte tokës të marrë frymë më lehtë, që fëmijët tanë t’i vërë në kontakt me vlerat e harruara që moti, që shoqërinë tonë ta ngadalësojë në masë të konsiderueshme, që të jetë pikënisje për një formë të re të bashkëjetesës dhe të bashkëveprimit, që së paku për disa javë t’i reduktojë pirgjet e bërllokut tonë, që të na tregojë edhe një herë sesa shpejt toka është e gatshme të rigjenerohet, të ripërtërihet, në qoftë se ne njerëzit shfaqim konsideratë ndaj saj dhe kujdesemi që ajo të frymojë lirshëm.

Kjo krizë ne po na zgjon në mënyrë tronditëse, sepse si duket nuk ishim të aftë të zgjoheshim vetë dhe butë. Këtu, bëhet fjalë për të ardhmen tonë, për të ardhmen e brezave që vijnë, sepse ne këtë jetë, këtë tokë me krejt çfarë ka ajo dhe mbi të, i kemi amanet nga Zoti. Amanetin, herë do kurdo, duhet t’ia kthejmë prapë pronarit të saj, Zotit.

Kur’ani thotë:
Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të kësaj të keqeje që e bënë, ashtu që ndoshta kthehen (dhe ndryshojnë). (Er-Rum, 30:41)

A nuk është koha që të kthehemi, të ndryshojmë, të bëhemi më humanë, më të dashur e më të këndshëm për njëri-tjetrin si njerëz, por edhe për gjallesat e për ambientin që na rrethon?!

A nuk është koha ta rishikojmë sistemin politik, ekonomik, kulturor, social, fetar, artistik..?

A nuk është koha për një rend të ri botëror më human, një rend i ri në harmoni me të shenjtën, me hyjnoren?!

Mbetshi me shëndet të plotë! (el-hikmeh.net)