Influenca e Imam Maturidiut

1008

Nëse madhështia e një teologu do të matej nga sasia e shënimeve biografike dhe historike rreth tij në lidhje me jetën dhe arritjet e tij intelektuale, emri i El-Maturidiut nuk do të zinte ndonjë vend të lartë në listën e teologëve të mëdhenj musliman. Por nëse kjo madhështi do të matej me origjinalitetin e ideve dhe metodës teologjike të tij, El-Maturidiu paraqet njërin prej kandidatëve më serioz për vendin e parë në atë listë.

El-Maturidiu nuk e fitoi namin e tij në mesin e teologëve ortodoksë as përmes famës së mësuesve të tij, e as përmes përpjekjes së nxënësve të tij. Por, ai fitoi namin për shkak të arritjeve të tij intelektuale dhe origjinalitetit të tij teologjik. Për sa i përket teologjisë islame, asnjëri prej mësuesve – për të cilët kemi folur në kapitullin e parë – nuk mund të krahasohet me mësuesin e El-Esh‘ariut, El-Xhubba’iun, ose me mësuesin e El-Gazaliut, El-Xhuvejniun, për sa i përket aktivitetit teologjik dhe popullaritetit në mesin e mutekelimunëve.

Sa i përket nxënësve të drejtpërdrejtë të El-Maturidiut, katër prej tyre janë më të spikatur, kurse ata janë: Ebu El-Kasim Is’hak El-Samerkandi, i njohur si El-Hakim Es-Samerkandi (vd. 340/951), Ali El-Rustughaniu (vd. 350/961), ‘Abd El-Kerim b. Musa El-Bezdeviu (vd. 390/1001), dhe Ebu El-Lejth El-Buhariu (data vdekjes e panjohur). Vetëm dy prej tyre kanë shkruar libra.

El-Hakim Es-Samerkandi shkroi:

a) Akidet El-Imam;

b) Sherh El-Fikh El-Ekber

c) Es-Sawad El-A’dham, dhe

d) Risalah fi bejan enne el-iman xhuz’ min islam kurse

Ali el-Rustughfaniu shkroi:

a) Kitab El-Irshad el-muhtedi;

b) Kitab El-Zewa’id we ‘l-fewaid fi enwa’ el-ulum,

c) Kitab El-Khilaf

d) El-Es’ileh we el-exhwibeh

Përpos veprat Es-Sawad El-A’dham, dhe Risalah fi bejan enne el-iman xhuz’ min islam të El-Hakim Es-Samerkandit dhe veprës El-Es’ileh we el-exhwibeh të El-Rustaghfaniut asnjëra prej këtyre veprave nuk është e ruajtur. Që të dyja, edhe El-Sewad El-A’dham edhe Risalah fi bejan enne el-iman xhuz’ min islam janë botuar[1], ndërsa El-As’ileh we’l-exhwibeh gjendet vetëm si dorëshkrim[2]. Vepra El-Sewad është vepra më e vjetër teologjike në përputhje me shkollën maturidite. Në të El-Hakim Es-Samerkandi ka zhvilluar 62 pohime besimore, moszbatimi i të cilave do të thotë se njeriu nuk i përket shumicës së muslimanëve (Es-Sewad el-a’dham), një ide të cilën ai e bazoi në një hadith.[3]

Edhe pse “Es-Sewad el-a’dham” nga El-Hakim Es-Samerkandi mund të ketë kontribuuar në përhapjen e pikave kryesore të doktrinës së El-Maturidiut, unë nuk mendoj që ajo përfaqëson një vlerësim të mirëfilltë të ideve thelbësore teologjike të El-Maturidiut. Unë nuk mendoj që El-Maturidiu do të kishe qenë shumë i kënaqur me idenë e 62 pohime besimore, për shkak se, me gjasë, mund të ketë më shumë se aq, dhe për shkak të orientimit të tij që të merret me çështjet teologjike në mënyrë edukative, e jo në mënyrë indoktrinuese, siç ishte, qartazi, qëllimi i El-Hakim Es-Samerkandit.

Por një vlerësim më serioz i mendimit teologjik të El-Maturidiut filloi më tepër se një shekull më vonë nga Fahr el-Islam ‘Ali El-Bezdeviu (vd. 482/1089)[4] dhe u vazhdua nga një numër i madh i mjeshtërve të maturidizmit.

Këta në vijim janë emrat dhe veprat e interpretuesve dhe promovuesve të shkollës teologjike të El-Maturidiut:
Sadr El-Islam Ebu El-Jusr Muhammed El-Bezdeviu (vd. 493/1099)[5]
− Usul ad-Din
Ebu El-Mu’in Mejmun b. Muhammed El-Mekhuli En-Nesefiu (d. 508/1114)[6]
− Tebsirat el-edil-leh
− Temhid li kawaid et-tewhid
− Bahr el-kelam
Nexhm Ed-Din Umer En-Nesefi Mufti Eth-Thekalejn (vd. 537 / 1145)[7]
− El-Akideh en-Nesefijjeh (thuhet që ai shkroi rreth 100 libra)
Alauddin Ebu Bekr Muhammed Es-Samerkandi (vd. 540/1145)[8]
− Tuhfat el-fukaha
− Sherh Te’wilat ehl es-sunnah
Nur Ed-Din Ahmed Es-Sabuni (vd. 580 / 1185)[9]
− El-Hidajeh
− El-Bidajeh fi usul ed-din
− Kitab el-‘umdeh
Hafiz Ed-Din Ebu El-Berekat ‘Abdullah En-Nesefiu (vd. 710/1310)[10]
− El-Umdeh
− El-I’timad (Sherh El-Umdeh)
Ubejdullah Sadr Esh-Sheri’ah El-Mahbubi (vd. 747/1348)[11]
− Ta’dil El-Ulum
− Kitab Et-Tewhid
Ala’ Ed-din Abdulaziz El-Bukhariu (730/1329)[12]
− Keshf el-esrar
Ali El-Sejjid Eshl-Sherif El-Xhurxhani (vd. 816 / 1413)[13]
− Et-Ta’rifat
− El-Mewakif
Kemal Ed-Din Muhammed ibn El-Humameh (vd. 861/1455)[14]
− El-Musajereh fi el-kawa’id el-munxhijeh fi el-ahireh
Ahmed b. Sulejman Er-Rumi Shams ed-din Kemal Pasha (940/1533)[15]
− Texhrid et-texhrid
− Tehafut el-felasifeh li Hawaxh Zadeh
Ali b. Sulltan Muhammed El-Mekki Mulla Ali El-Karij (vd. 1014 / 1605)[16]
− Sherh ala El-Fikh El-Ekber
Kemal ed-din Ahmed El-Bejadiu (vd. 1083/1672)
− Isharat el-meram min ibarat el-imam
Hasan Kafia Prushçak Bosnewiu (vd. 1025/1616)
− Rewdat el-xhennet fi el-i’tikadat

Padyshim, secili prej këtyre dijetarëve të shquar hanefitë ka kontribuuar shumë sipas mënyrës së tij në përhapjen, të kuptuarit dhe zgjerimin e pikëpamjeve teologjike të El-Maturidiut. Por, mesa duket, “El-Akideh En-Nesefijeh” e Nexhmudin En-Nesefiut i parapriu këtij aktiviteti. Edhe pse jo qartazi e ndërlidhur me El-Maturidiun, edhe metodologjia edhe përmbajtja e veprës së tij padyshim lë gjurmë në influencën e tij. Kjo vepër ishte përmbledhëse, elokuente dhe sintetike. “El-Akideh” jo vetëm që u bë libër mësimor për maturiditët, por po ashtu tërhoqi shumë dijetarë esh’aritë, shembulli më i mirë i të cilës është esh’ariu Et-Taftazaniu, i cili shkroi një komentim të gjatë mbi të. Vepra tjetër pas kësaj për nga rëndësia, për elaborimin e doktrinës së El-Maturidiut, është “Tebsiret el-edil-leh” nga Ebu Muin En-Nesefiu (është e botuar). Prandaj, përmes veprave të këtyre dy nesefitëve dhe të tjerëve prej dijetarëve të sipërpërmendur hanefitë, doktrina e sunnizmit u furnizua me elementin vital të maturidizmit, procedura dhe struktura e të cilit do të kishte qenë tërësisht ndryshe pa të.

a) Maturidizmi

Është fakt i mirënjohur në mesin e studentëve të Islamit që shkenca e fikhut reprezenton modelin më të hershëm për veprimtarinë kulturore islame në përgjithësi. Duke u përpjekur për krijimin e një komuniteti musliman të bazuar në ligjin e etikës dhe moralitetit islam, dijetarët e hershëm e panë fushën e jurisprudencës të jetë aspekti më i rëndësishëm i kësaj shoqërie etike muslimane të presupozuar. Meqë kryesisht praktik në qëllimin e tij, studimi i hershëm i fikhut, në përmbajtjen e tij po ashtu përfshinte aspektet e nevojshme teorike të teologjisë islame. Shkurtimisht, shkenca e hershme e fikhut përmbante të gjitha perspektivat e jetës fetare teorike dhe praktike të muslimanëve.

Të ballafaquar me probleme të ndryshme që jeta i paraqiste dhe me mundësi të ndryshme teorike dhe praktike për zgjidhjen e atyre problemeve, juristët e hershëm mësuan të tolerojnë pikëpamjet kundërshtare dhe kështu të jenë sinkretikë në qasjet e tyre në lidhje me çështjet e ndryshme fetare. Prandaj, prania e katër shkollave ligjore, së bashku me dy të tjera më pak të rëndësishme, d.m.th. ajo shi’ite dhe dhahirite, nuk ishte asnjëherë vërtetë problem për ortodoksizmin islam. Përcaktimi për malikizmin, hanefizmin, shafi’izmin ose hanbelizmin, dhe në shkallë më të ulët për shi’izmin dhe dhahirizmin, ishte, dhe ende konsiderohet, i natyrshëm në mesin e muslimanëve ortodoksë. Në fakt, sa i përket çështjeve të fikhut, zyrtarisht nuk ka musliman heretik. Mirëpo, ky nuk ishte rasti me teologjinë islame. Duke nisur qysh me herezinë e Abdullah b. Saba’as, pastaj me atë të Mu’bed El-Xhuheniut (vd. 80 h.), Gheilan El-Dimeshkiut (125 h.), Xhehm b. Safwanit (vd. 128 h.) dhe të tjerëve, teologjia islame ka qenë gjithmonë me qëndrime kontroverse, akuzime dhe kundër-akuzime. Por, me gjasë, ndodhia më e theksuar që i ndihmoi këto pikëpamje të papajtueshme teologjike të zhvillohen, ishte përvetësimi i teologjisë racionaliste të mu’tezilëve nga El-Me’muni në fillim të shekullit të dytë të Islamit, dhe, si pasojë tentimi i tij për të imponuar me forcë doktrinën mu’tezilite mbi muslimanët përmes fuqisë së shtetit.

Siç është e ditur, kjo teologji e imponuar nga shteti nuk mbijetoi gjatë. Sidoqoftë, u zëvendësua me një teologji po aq jotolerante të tradicionalistëve. Prandaj, në kontekstin e këtyre fakteve të historisë islame dhe për shkak të nevojës për një qasje të balancuar teologjike, studiuesit seriozë muslimanë duhet të ndërmerrnin krijimin e një perspektive sintetike të teologjisë sunnite. El-Maturidiu në lindjen e largët, El-Esh’ariu në mes, dhe Et-Tahaviu në perëndimin e largët të perandorisë muslimane në shekullin e nëntë-dhjetë, ishin të besueshëm dhe të përshtatshëm për këtë detyrë. Qysh prej emergjencës së këtyre tre teologëve të mëdhenj sunnit besohet vendosmërisht që mendimi teologjik islam është ruajtur prej polit të djathtë të tradicionalistëve dhe prej polit të majtë të racionalistëve. Por, përbrenda shembullit të fikhut, muslimanët ortodoksë e kishin të mundur, brenda kornizës së punës së këtyre tre dijetarëve, të përvetësojnë pikëpamje specifike të njërit prej këtyre teologëve ose prej tjetrit e madje edhe t’i integrojnë pikëpamjet e të gjithë atyre në pikëpamjet e tyre të veçanta teologjike. Prandaj, teologjia islame më në fund u lirua nga barra e herezisë dhe, ashtu si jurisprudenca islame, u furnizua plotësisht me ajër ashtu që të mund të merrte frymë lirshëm në zonën e vetë të kufizuar. Observimi i Ejub Aliut, që për dallim nga esh’aritët pas El-Esh’ariut, maturiditët nuk shtuan asgjë substanciale në mendimin teologjik të El-Maturidiut, është korrekt. Për të mbështetur këtë, ai dha tre shpjegime:

1) Maturiditët ishin më shumë të preokupuar me çështjet e fikhut sesa ato të kelamit dhe nuk ishin mirë të stërvitur në kelam që të shtojnë diçka të re në të.

2) Burimi i mendimit teologjik hanefito-maturidit ishte bërë nga Ebu Hanife dhe pastaj u përkrye nga El-Maturidiu, në të cilën pak mund të shtohet, ndërsa në fakt El-Esh’ariu vetëm nisi bazat e teologjisë së tij që duhej përfunduar nga pasardhësit e tij, dhe;

3) Kundërshtimi ndaj esh’arizmit edhe nga mu’tezilët edhe nga hanbelitët kërkonte kërkime të mëtutjeshme më të thella nga esh’aritët për qëllim të mbrojtjes së esh’arizmit.[17] Të gjitha këto shpjegime mund të merren parasysh. Mirëpo unë mendoj që arsyeja më e vërtetë pse esh’arizmi i esh’aritëve është ndryshe dhe më i avancuar sesa mendimet e vetë (Ebu Hasan) El-Esh’ariut, ndërsa maturidizmi i maturiditëve është identik me atë të El-Maturidiut, qëndron në faktin që qëndrimet teologjike të El-Esh’ariut per se nuk kanë sistem metodologjik të përcaktuar, ndërsa ato të El-Maturidiut përfundimisht e posedojnë, siç kemi parë në lëndën e studimit tonë. Me fjalë të tjera, El-Esh’ariu ishte më shumë indoktrinues teologjik sesa edukues teologjik, ose, ai ishte më i interesuar t’u tregojë njerëzve çka të besojnë sesa si të besojnë. Në anën tjetër, El-Maturidiu e zhvilloi një sistem të arsyetimit teologjik që i dha pasuesve të tij direktivë përmes se cilës ata gjithmonë mund të kërkojnë për mundësi të reja doktrinore dhe prapë të mos dalin nga shtegu i veçorive kryesore të doktrinës së tij.

Pikërisht për shkak të këtij fakti ne e shohim shkakun për zhvillimin e maturidizmit përbrenda kornizave të mendimit teologjik sunnit. Dhe, unë guxoj të them, po të mos kishte qenë për shkak të rivalitetit në mes të shafi’itëve dhe hanefitëve, si dy shkollat më tradicionalo-racionale, dhe po të mos kishte qenë për faktin që El-Maturidiu jetoi larg prej qendrës së perandorisë islame, maturidizmi do të kishte mbizotëruar në mesin e shumicës së teologëve muslimanë. Në fakt, një shqyrtim i thellë në teologjinë e Esh’ariut dhe të Maturidiut dhe një krahasim serioz i tyre me mendimet teologjike edhe të esh’aritëve e edhe të maturiditëve të mëvonshëm do të tregojë se sa e afërt, pothuajse identike, është metoda teologjike e El-Maturidiut me metodën e të gjithë atyre teologëve, dhe në anën tjetër, sa e mangët është metoda e El-Esh’ariut. Prandaj, nëse jemi duke kërkuar një teolog, i cili dha drejtimin më të mirë për metodologji në teologjinë islame, si ajo e Esh-Shafiut në jurisprudencën islame, El-Maturidiu padyshim është kandidati më i përshtatshëm për këtë nderim.

Nëse pastaj dëshirojmë të përmbledhim influencën e mendimit teologjik të El-Maturidiut për teologjinë ortodokse islame ne me vendosmëri do të thoshim që vjen prej teorisë së tij të njohjes, aftësisë së tij për ta sintetizuar traditën dhe arsyen dhe prej besnikërisë së tij të thellë ndaj dogmave qendrore islame.

b) Një perspektivë moderne teologjike

Është e mahnitshme sa produktiv kanë qenë dijetarët muslimanë të shekullit të dytë, tretë, katërt dhe pestë të Islamit në të gjitha fushat e aktivitetit intelektual, dhe është edhe më e çuditshme si muslimanët e kohëve moderne kanë humbur kontaktin me këtë trashëgimi të pasur intelektuale, që është pashembullt sipas të gjitha standardeve në histori. Kjo është në veçanti e vërtetë për teologjinë islame. Jo vetëm që pak muslimanë kanë mundësi t’i ofrojnë arenës botërore të mendimit ide të reja teologjike, por po ashtu vetëm pak veta janë me të vërtetë të mishëruar me madhështinë e të kaluarës së tyre. Sigurisht, disa muslimanë e lavdërojnë këtë trashëgimi historike të Islamit ditë e natë, por pak përfitojnë nga përvoja e madhe e paraardhësve të tyre. Ata ndonjëherë shkojnë aq shumë në të kaluarën, saqë humbin gjurmët e kthimit në të tashmen dhe të planifikimit për të ardhmen.

Ata duhet të mësojnë prej trashëgimisë së kaluar në vend që të lavdërojnë atë verbërisht dhe pakuptim. Ata duhet të jetojnë, mendojnë dhe punojnë siç kanë bërë paraardhësit e tyre në kohën e tyre.

Edhe pse më shumë se një mijëvjeçar larg prej kohës tonë, qasja teologjike e El-Maturidiut mund të aplikohet për problemet tona dhe zgjidhjet e tij mund të na japin neve një kuptim të vërtetë të sintetizimit të traditës me arsyen. Për më tepër, mënyra e tij natyrale, pa paragjykime dhe e sinqertë e të menduarit është shembull për t’u ndjekur i një dijetari musliman të ndershëm dhe serioz. Sensi i tij për analizë dhe syri kritik prej dijetari mund të tërheq madje edhe dijetarët më serioz të kohëve tona. El-Maturidiu nuk shkruan për të kënaqur apo konvertuar, as për të impresionuar apo tërhequr aty për aty lexuesin e tij, por në fakt ai shkruan sepse Zoti i dha atij mendjen për të menduar dhe për arsye sepse ka shumë gjëra në këtë botë mbi të cilat duhet reflektuar.

Prandaj, nuk është i habitshëm fakti që mendimi teologjik i njërit prej mendimtarëve më të mëdhenj musliman, Muhamed Abduhu, mund të identifikohet lehtësisht me atë të El-Maturidiut. Prandaj, El-Maturidiu, e jo El-Esh’ariu, duhet të jetë modeli për një perspektivë serioze moderne ortodokse teologjike. Për shkak se mendimi teologjik i El-Maturidiut nuk është kontrovers, as politik dhe është më natyral dhe edukativ sesa ai i El-Esh’ariut.

____________________
[1] Shih, GAS, fq. 606
[2] Sipas GAS (versioni arabisht), [fq. 382] një dorëshkrim i kësaj vepre gjendet tek Murad Mula 1829 (154a-176b, kopjuar në shekullin e dhjetë të hixhretit).
[3] Cf. Rotter, Islam XVIII, 41.
[4] Ali el-Bezdeviu shkroi veprën Usul el-Bezdevi, cf. Fawa’id, fq. 124
[5] Cf. Fawa’id, fq. 188
[6] Ibid., fq. 116-117
[7] Ibid., fq. 149-250.
[8] Ibid., fq. 157.
[9] Ibid., fq. 42; Murteda, II, fq. 3.
[10] Fawaid, 102.
[11] Ibid., fq. 109-110.
[12] Shih, Ala’el-Din ‘Abdulaziz, Keshf el-Esrar ‘an Usul Fahr el-Islam el-Bezdevi, (Dar el-Kitab el-‘Arabi, Bejrut, 1934/1974).
[13] Ibid., fq. 165
[14] Ibid., fq. 180.
[15] Ibid., fq. 21.
[16] Cf. El-Ta’likat el-Sunnijeh ‘ala el-Fewa’id el-Behijjeh, fq. 8.
[17] Cf, Ali, fq. 387-390.