Atëherë besimtari do të jetë më i poshtëruar sesa robëresha

1657

Transmetohet nga Abdullah ibn Abasi (r.a.), se ka thënë:

Kur Pejgamberi (savs) e kreu haxhillëkun lamtumirës (haxhetul-veda’), erdhi te Qabeja, pastaj u kap për një hallkë të derës, duke thënë: “O njerëz, a doni t’ju informoj për parashenjat e Ditës së gjykimit?”

Atëherë u ngrit Selmani (r.a.) dhe tha: “Po, na informo, o i Dërguari i Allahut!”

Pas kësaj, Pejgamberi (savs), tha:

“Nga parashenjat e Ditës së gjykimit është lënia e namazit, dhënia pas pasioneve dhe lartësimi i të pasurve.”

“A do të ndodhë kjo, o i Dërguari i Allahut?” – pyeti Selmani.

“Po, pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, dhe atëherë, o Selman, zekati do të konsiderohet si taksë dhe gjobë, kurse plaçka e luftës si përfitim.

Atëherë do të besohet gënjeshtari, kurse ai që flet të vërtetën, do të konsiderohet gënjeshtar. Njerëzve do tu flasin ata që nuk dinë të flasin dhe nuk janë të denjë për të.

Në atë kohë, nëntë të dhjetat (9/10) e njerëzve do ta mohojnë të vërtetën.

Nga Islami, atëherë, do të mbetët vetëm emri, nga Kurani vetëm dorëshkrimi, kurse faqet e tij do të zbukurohen me ar.

Numri i burrave në umetin tim do të rritet, kurse robëreshat do të zbukurohen (pispillosen).

Nga minberi do të flasin fëmijët, kurse xhamitë do të dekorohen, ashtu siç dekorohen kishat dhe sinagogat.

Minberet do të ndërtohen dhe rreshtat do të shumohen. Zemrat do të urrehen, gjuhët do të kundërshtohen dhe pasionet do të shumëzohen.”

“A do të ndodhë kjo, o i Dërguari i Allahut?” – pyeti Selmani.

“Po, pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, atëherë besimtari do të jetë më i poshtëruar sesa robëresha. Zemra do t’i shkrihet në gjoks, siç shkrihet kripa në ujë, për shkak të këqijave që do t’i shikojë përreth vetes, të cilat nuk do të mund t’i pengojë. Burrat do të bëjnë marrëdhënie me burrat, kurse gratë me gratë. Burri do t’i afrohet të riut, siç i afrohet vajzës vergjinë.

Në atë kohë, o Selman, sundimtarët do të jenë të prishur, ministrat e tyre do të jenë mëkatarë, kurse komisionarët do të jenë rrëmbyes, të cilët do ta lënë namazin dhe do t’i ndjekin pasionet e tyre.

Nëse e përjeton një kohë të tillë, fale namazin në kohën e tij.

Në atë kohë, o Selman, do të shfaqen robër nga Lindja dhe robër nga Perëndimi. Ata, trupat do t’i kenë njerëzorë, kurse zemrat djallëzore. Nuk do të kenë mëshirë për të rinjtë, as nuk do të kenë respekt për të moshuarit.

Në atë kohë, njerëzit do ta kryejnë haxhillëkun, do ta vizitojnë këtë Shtëpi të shenjtë (Qabenë), pushtetarët do ta bëjnë këtë për lojë dhe argëtim, të pasurit për tregti, të varfrit për lypje, kurse dijetarët dhe lexuesit e Kuranit për tu parë dhe dëgjuar.”

“A do të ndodhë kjo, o i Dërguari i Allahut?” – pyeti Selmani.

“Do të ndodh, pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, dhe atëherë, o Selman, do të përhapet gënjeshtra, dhe gratë do të marrin pjesë në tregti me burrat e tyre dhe do t’i afrohen tregut.”

“Dhe çka do të thotë afrimi i tyre, o i Dërguari i Allahut?”

“Kjo do të thotë tregti e dobët dhe e dështuar.

Në atë kohë, o Selman, Allahu do ta dërgojë një erë, në të cilën do të ketë gjarpërinj të verdhë, të cilët do t’i rrëmbejnë udhëheqësit në mesin e dijetarëve, të cilët e kanë parë të keqen dhe mëkatin, por nuk janë përpjekur për ta ndryshuar atë.”

“A do të ndodhë kjo, o i Dërguari i Allahut?”

“Po, pasha Atë, i Cili e ka dërguar Muhamedin (a.s.) me të vërtetën.” (Ibn Nerdevejh)

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)