A të kuptuam drejtë, o pejgamber i Zotit?

Lexo gjithashtu:

Tokyo zgjedhet për herë të tretë qyteti më i sigurt në botë

Revista “The Economist” përsëri ka përzgjedhur Tokyo-n si qytetin më të sigurt në botë.

Njerëzimi kupton veç nga dashuria

Mehas Alija Një njeri u jep pak para disa personave dhe u thotë që...

Gjuha arabe është e jashtëzakonshme

Nëse dëshironi të mësoni sa gjuhë e jashtëzakonshme është gjuha arabe, lexoni tekstin në vijim…

Dhënia zekatit për mjaltë

PYETJE:Esselamu alejkum! Unë kam nevojë ta japë zekatin mjaltë për sasinë prej 150 kg,...

Mr. Rejhan Neziri

Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ty, o i Dërguar i Zotit!

Në këto ditë kur e përkujtuam edhe një herë ditëlindjen tënde, më ra të mendoj rreth faktit, nëse të kemi kuptuar drejtë apo jo në mësimet dhe në praktikën tënde?!

Ne sot e shajmë dhe e ofendojmë njëri-tjetrin fillimisht lidhur me ditëlindjen tënde: ta festojmë apo jo atë; të gëzohemi pse u linde, jetove dhe na mësove, apo kjo datë të mos ketë asnjë kuptim dhe asnjë motiv për t’u gëzuar, në ndërkohë që ne fluturojmë nga gëzimi për lindjen e çdo një fëmije tonin, madje edhe për lindjen e një kafshe. Nuk bëka, sepse ti nuk e paske festuar ditëlindjen tënde, prandaj edhe na qenka risi?! Kjo që është një çështje kulture, ne e ngritëm në çështje besimi apo doktrine… Nga ana tjetër, shumë festime të këtilla më shumë ngjajnë në spektakle në të cilat përfitojnë, s’është e thënë vetëm para, figura të caktuara, sesa vërtet të përjetohet dhe të shprehet dashuria ndaj teje. Disa, duke e festuar kinse ditëlindjen tënde, dëshirojnë t’i mbulojnë turpet e tyre, të cilat i ka kuptuar edhe fëmija në djep; dëshirojnë të shprehin modestinë dhe devotshmërinë në sytë e ndjekësve të tyre, që u mungon aq shumë në jetën e tyre reale.

Në emër të Sunnetit tënd të bekuar, ne sot e përjashtojmë njëri-tjetrin nga besimi dhe feja.

Ti na the: “Veprat (te Zoti) shpërblehen vetëm sipas qëllimit dhe secilit i takon vetëm aq sa ka pasur për qëllim”, ndërkaq “Ne njerëzit gjykojmë dhe vlerësojmë sipas asaj që shohim, që duket”, në ndërkohë ne, ummetit yt, u ngritëm dhe nisëm t’i lexojmë nijetet dhe qëllimet e pashprehura të njerëzve. Ne ia nisëm të gjykojmë nëse dikush është besimtar ose jo; nëse dikush meriton të varroset bashkë me muslimanët e tjerë apo t’i hiqet koka dhe të mos varroset, por të hidhet në një gropë, sikur të mos ishte fare qenie njerëzore; nëse dikush e meriton të shkojë në xhennet apo në xhehennem… u nxehëm t’i marrim në dorë kompetencat e Zotit, nisëm ta luajmë rolin e një zoti të ulët dhe despot…

Ti na the: “Kush më ndjek mua, ai e ka ndjekur Zotin; kush më kundërshton mua, ai e ka kundërshtuar Zotin…”, ndërsa ne, ummetit yt, vërtetësinë dhe saktësinë e ndjekjes së rrugës sate e matim me gjatësinë e pantallonave dhe të mjekrës; e matim nëse kemi në xhep një krënd të stërthatë, pa asnjë element pastrimi dhe dezinfektimi, të shitur e të stërshitur nëpër libraritë dhe dyqanet muslimane, të quajtur misvak; e matim me llojin e mesteve në këmbë dhe me gjatësinë e tespiheve që i rrotullojmë pa vetëdije si numëratore në dorë; e matim me nëse jemi veshur me fustanella tamam si arab dhe si pakistanez apo jo, se vetëm ashtu jemi muslimanë “prej vërteti”; e matim me ngritjen apo jo të duarve, me lidhjen e tyre mbi apo nën kërthizë, me hapjen apo ngushtimin e këmbëve në namaz… Ne i hidhërohemi njëri-tjetrit, e qortojmë dhe nuk i flasim njëri-tjetrit, vetëm pse disa rituale të fesë i bëjmë ndryshe nga tjetri… Ndërkohë që as që merremi me arsyen se pse dhe për kë i kryejmë këto rituale. Për ne më shumë kuptim dhe rëndësi ka se si e kryejmë një gjë, sesa pse dhe për kë e kryejmë atë. Më shumë na intereson forma e jashtme sesa thelbi dhe esenca, arsyeja që i jep kuptim formës. Ti na the: “Kur dikush prej jush falë namaz, ai është duke folur me Zotin e vet”, ndërsa ne fokusohemi ta forma e namazit të tjetrit dhe sikur dëshirojmë ta korrigjojmë e mësojmë tjetrin edhe derisa jemi duke u lutur vetë. Ne nuk e kemi problem pse nuk jemi të koncentruar në namaz, edhe pse ti the se “nga namazi keni (dobi) vetëm aq sa keni qenë me mend dhe të vetëdijshëm në të”. Ne gjatë lutjeve tona, me gojë recitojmë tekste të shenjta, në ndërkohë që me mend bëjmë hesape dynjaje, blejmë dhe shesim, lidhim kontrata dhe prishim kurthe, punësojmë tanët dhe shkarkojmë ata të grupit a partisë tjetër, nisim luftëra dhe lidhim paqe, ndërtojmë shtetin tonë dhe shkatërrojmë të huajin… të gjitha këto brenda disa minutash gjatë lutjeve tona.

Duke qenë se xhamia është vendi që i tubon, i bashkon dhe i afron zemrat e besimtarëve, ne, ummetit yt, shkojmë atje për t’u diferencuar e dalluar nga njëri-tjetri: duke qenë se agjërimi dhe zekati synojnë përafrimin e njerëzve të shtresave të ndryshme, ne, ummeti yt, i përdorim ato për ta shtuar dhe theksuar akoma më tepër dallimin; duke qenë se haxhi është përbashkuesi ynë më madhështor planetar, ne, ummeti yt, e përdorim atë për të dëshmuar epërsinë tonë materiale, pa çka se nuk u njoftova atje me asnjë musliman të botës, pa çka se ndenja i vetmuar si hut në mesin e miliona haxhilerëve…

Ti na the: „Mos e urreni, mos e kini zili dhe mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit! Jini vëllezër në fe..!“, mirëpo ne sikur kërkojmë edhe më të voglën arsye për t’u prishur me tjetrin, për ta poshtëruar tjetrin dhe për t’u larguar prej tjetrit. Aq shumë jemi dashuruar në vetveten, saqë të tjerët na duken njerëz, për aq kohë sa u shërbejnë interesave tona.

Ti na the: “Ai që bën hile dhe na tradhton, s’është prej nesh”, ndërsa ne, ummeti yt, e quajmë aftësi, kompetencë, zotësi dhe strategji mashtrimin, rrenën dhe hilen, ani pse sapo dolëm nga xhamia, ani pse sapo e mbaruam Ramazanin, ani pse sapo u kthyem nga haxhi apo umreja. Sikur në xhami, në Ramazan dhe në haxhillëk kemi një Zot, të cilin e lusim për mirëqenie, shëndet e mbarësi, ndërkaq në pazar ai s’është asgjëkund, në vendin e punës Zotin s’e kemi fare pranë, në vendin ku e kryejmë të ndaluarën dhe ku e shkelim rregullin as që ekziston koncepti Zot. Ai do të na kujtohet vetëm po na ra një dert në kokë. Ne s’kemi nevojë për Zotin kur jemi mirë e rehat, këtu jemi të vetëmjaftueshëm. Aq më pak na duhet Zoti, kur dikush na avancoi në politikë, në biznes a në kulturë… Ne nuk ngurrojmë që këtë ngjitje zvarrë, si kërmilli duke u lëpirë, ta shesim si aftësi dhe zotësi personale…

Ti na the: “S’është prej nesh ai që nuk ka mëshirë ndaj më të vegjëlve tanë dhe ai që nuk tregon respekt ndaj më të vjetërve tanë”, ndërsa ne, ummeti yt, të kapluar nga narcizmi ynë, s’e durojmë dot as të riun, sepse ai është “i dalë feje”, e as plakun, sepse ai është “i dalë mode”. Ne sot po e tkurrim gjithnjë e më shumë familjen e madhe e të zgjeruar; ajo na duket sikur na pengon në zhvillimin tonë personal dhe në karrierë. Prandaj, sa më larg prindërve dhe vjehërrisë, sa më larg zhurmës dhe buçimës së fëmijëve e të nipërve dhe mbesave… është motoja e reklamave, e filmave serikë, që s’kanë asnjë pikë vlere a bereqeti.

Ti na the: “Musliman i vërtetë është ai, prej dorës dhe gojës së të cilit, janë të ruajtur muslimanët (njerëzit) e tjerë”, ndërkaq ne, ummeti yt, dorën e kemi ose për ta kruar shpinën, duke jetuar në kurriz të tjetrit, ose e përdorim për ta përvetësuar edhe atë që i takon një më të dobëtit, jetimit, fukarasë dhe nevojtarit… Dorën e përdorim, jo për ta ledhatuar kokën e jetimit, siç kërkoje ti prej nesh, por për t’ia rrëmbyer edhe atë kontribut të vogël që i takon me ligj e me fe… Dorën e përdorim jo për ta shpëtuar tjetrin nga humnera, por për ta shtyrë atë edhe më thellë se ç’është… Ne, ummeti yt, nuk e kemi dert pse me duart tona e vjedhim pasurinë e popullit në emër të popullit, zekatin dhe sadakanë në emër të fesë por për xhepat tanë të pafund… Për këtë as që kemi fytyrë të skuqemi… Gishtat e duarve tona, sot në kohën e digjitalizimit, i përdorim për të ofenduar, për të lënduar dhe për të përjashtuar të tjerët nga “radhët tona”… Gojën?! Ah, gojën ne më pak e kemi për ta falënderuar Zotin dhe madhëruar Atë sinqerisht… Më pak e kemi për ta thënë një fjalë të bukur, një këshillë të mirë, një shaka të kripur, një ngushëllim që flladit zemra e shpirtra… Për ne, ummetin tënd, goja është një instrument i fuqishëm për të sharë, për të nënçmuar dhe nënvlerësuar kundërshtarin e interesave tona; për ta ofenduar atë që na mëson për së mbari, sepse ne jemi të vetëmjaftueshmit dhe të gjithëdijshmit… Gojën, ne ummeti yt, e përdorim për t’u përjargur para politikanëve, para udhëheqësve të ndryshëm, vetëm e vetëm të arrijmë aty ku e kemi apo s’e kemi vendin… Me gojët tona ne nuk ngurrojmë ta denigrojmë tjetrin, për t’u “ngritur” vetë… Se desh harrova, ne gojët tona i përdorim edhe për të fryrë ata që kanë derte të ndryshme psikike, pra bëjmë rukje… Një shishe uji që kushton dy franga, pasi ta kemi fryrë ne, ajo do të kushtojë më së paku 20 franga, sepse tanimë ai është i bekuar, me këtë rast kemi lexuar ajete kur’anore dhe lutje që na ke mësuar ti, o Pejgamber i dashur. Ne bëjmë biznes me fjalët e të Madhit Zot, me fjalët tua, dhe më e keqja pasurohemi me dertet dhe fatkeqësitë e të tjerëve, ani pse nuk u ndihmojmë në fakt asgjë, ani pse vetëm i kemi manipuluar…

Ti u ngrite në këmbë kur përpara teje kaloi një xhenaze. Kur të pyetën pse e bëre këtë duke qenë se kjo ishte xhenazja e një çifuti, ti u the: „A nuk është edhe ai njeri?!“. Këtë mirësjellje dhe respekt ndaj pjesëtareve të feve, besimeve e kulturave të tjera, ne qysh moti ia kemi ndaluar vetvetes, këtë madje e kemi bërë tabu… Këtë respekt ne ia mohojmë sot edhe atij muslimani që nuk është nga grupi ynë, nga medh‘hebi apo nga menhexhi ynë!!!

Kur dikush të pyeti se cilin njeri dhe cilën vepër e do më së shumti Zoti, ti iu përgjigje: “Njeriun që më së shumti e do Zoti është ai që është më i dobishëm për njerëzit, ndërsa veprën që më së shumti e do Zoti është mbjellja e lumturisë dhe e gëzimit në zemrat e njerëzve…”. Të qenit i dobishëm dhe mbjelljen e lumturisë, si vlera të pakapërcyeshme, ti nuk i kufizove dhe nuk i rezervove vetëm për muslimanët, ndërkaq ne, ummeti yt, o Pejgamber i dashur, edhe muslimanit ia shohim të tepërt.

Këto parime tua universale, që janë shumë të shtrenjta në tregun botëror të vlerave, ne, ummeti yt, ua kemi ulur çmimin sa s’bën, prandaj edhe kemi ngelur të pavlerë; i quajmë të vogla, prandaj edhe kemi ngelur të vegjël…

E di që ka nga mesi i ummetit tënd shumë njerëz që u përmbahen me sinqeritet, me përkushtim dhe me gjithë zemër mësimeve dhe orientimeve tua universale, tejkohore dhe tajhapësinore, dhe mundohen që me to të krijojnë një botë shumë më të mrekullueshme, më të qetë e më të hareshme, por kjo ana e errët e realitetit tonë nuk është e vogël për ta penguar përpjekjen e tyre.

Jemi të vetëdijshëm se në qoftë se ne nuk e nderojmë vetveten me fjalët dhe udhëzimet tua, do të ketë të tjerë që do ta bëjnë këtë, e atëherë mjerë për ne e lumë për ata!

Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ty, o i Dërguar i Zotit, Muhammed mustafa!

- Advertisement -
- Reklamë -

Më të rejat:

Thelbi i detyrës së imamit

HUTBEJA JUBILARE PËR 10 VJETORIN E XHAMISË Çdo falënderim i përket Allahut të Plotfuqishëm, Salavati...
- Reklamë -

Xhamia e Kembrixhit, xhamia e parë eko-miqësore në Evropë

Xhamia Qendrore e Kembrixhit në Britani të Madhe, hapjen e së cilës do ta bëjë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përveç...

Gjermani, evakuohet xhamia për shkak të alarmit për bombë

Xhamia Yavuz Sultan Selim në Manheim të Gjermanisë është evakuuar për shkak të një alarmi për bombë, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan: Nuk mund t’i vendosni në një vend terrorizmin dhe Islamin

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë se muslimani nuk mund të jetë terrorist dhe se Islami nuk prodhon...

Myslimanët në Singapor

Rregullimi shtetëror dhe popullsia Në gjuhën sanskrishte "Singapura" do të thotë "Qyteti i luanit". Me këtë emër, në ujdhesën...

Shejtanët i thanë iblisit: „o udhëheqësi ynë, pse gëzohesh më shumë kur vdes një...

Dijetari islam (ai që i kupton dhe zbaton rregullat fetare) është më i mirë dhe më i vlefshëm sesa një i devotshëm...
- Reklamë -

Ua rekomandojmë

- Advertisement -