Më e mirë është një arrë e plotë sesa një thes arra boshe
Asnjëherë në histori nuk ka qenë e rëndësishme sasia, por cilësia. Më i mirë është një njeri i ditur se 1000 injorantë. Individët cilësorë e përbëjnë një shoqëri të fortë dhe të përparuar. Sa shumë grupe të vogla kanë fituar nga grupet e mëdha, me lejen e Allahut.
Napoleoni ka thënë: “Më shumë më pëlqen t’i kem 1000 gomarë të drejtuar nga një luan, sesa 1000 luanë të drejtuar nga një gomar.”
Kishin debatuar gomari dhe ujku se çfarë ngjyre ka bari. Ujku thotë se bari është me ngjyrë të gjelbër, kurse gomari thotë se është me ngjyrë të kaltër. Pasi nuk po arrinin të merreshin vesh, çështjen e ngritën te luani për ta gjykuar, dhe luani e dënon ujkun me burgim për një muaj.
Pasi e kreu dënimin, kur u lirua, ujku përsëri e pyeti luanin: “Epo, a vërtet ti i beson gomarit se bari është me ngjyrë të kaltër?”
Luani i tha: “Edhe unë e di që bari është i gjelbër, por unë të dënova ty, thjesht, se përse ke debatuar me gomarin.”
/Përkthim: Miftar Ajdini/