Mos u ngarko me brengat,të cilat nuk kanë ardhur me ty…

846

Mos u ngarko me brengat,të cilat nuk kanë ardhur me ty në dynja, as nuk do të shkojnë me ty kur të largohesh!

Një djalosh ishte ngarkuar me brenga dhe probleme jetësore, kështu që shkoi te një njeri i mençur për t’u këshilluar me të, dhe për të kërkuar ilaç për brengat e tij. Kur erdhi tek njeriu i mençur, ai tha:

“O njeri i mençur, unë kam ardhur të të pyes nëse ekziston ndonjë mënyrë që të lirohem nga brengat, të cilat po më rëndojnë.”

Njeriu i mençur i tha:

“Unë do t’i bëj ty dy pyetje, në të cilat duhet të përgjigjesh, në mënyrë që unë pastaj t’i përgjigjem pyetjes tënde.”

Djaloshi, i lumtur, premtoi se do t’u përgjigjej pyetjeve, kështu që njeriu i mençur e pyeti:

A ke ardhur në këtë botë me këto brenga dhe probleme, të cilat po të rëndojnë tani?

“Jo, nuk kam ardhë”, – u përgjigj djaloshi.

Njeriu i mençur, ia bëri edhe pyetjen e dytë:

“Kur të largohesh nga kjo botë, a do t’i marrësh me vete këto brengat dhe problemet tua?”

“Jo, nuk do t’i marr me vete”, – u përgjigj djaloshi.

Atëherë njeriu i mençur i tha:

“Pra, kjo është një gjë që nuk ka ardhur me ty në këtë botë, as nuk do të shkojë bashkë me ty nga kjo botë … Më e mençur është që mos t’u kushtosh rëndësi të madhe brengave tua. Bëhu i durueshëm në aspektin e kësaj bote, drejtoje shikimin kah qielli, dhe do ta realizosh atë që dëshiron. Bëhu i gëzuar dhe i qeshur, sepse nafaka jote është e përcaktuar edhe jetëgjatësia jote është e caktuar. Dynjaja dhe gjendjet e ndryshme të saj, nuk e meritojnë brengosjen tonë, sepse ato janë pjesë e caktimit së Zotit të Lartë, Allahut të Plotfuqishëm, në të cilën njerëzit nuk mund të ndikojnë.”

Saff.ba

Përkthim: Miftar Ajdini