Dhembshuria e Muhamedit a.s.

746

NJË MESAZH I PËRHERSHËM PËR TËRË NJERËZIMIN
Ata që propagandojnë dhunën, terrorin, intolerancën, nënçmimin ndaj njerëzve në bazë të ndarjeve racore, gjinore, ideologjike ose fetare, nuk janë pasues të vërtetë të Islamit.

Dr. Milazim KRASNIQI

Ngjarjet që ndodhën në skenën e madhe të historisë, në periudhën ndërmjet viteve 610- 632, në të cilën Muhamedi, a.s., ishte i ngarkuar me Shpalljen Hyjnore, kur shikohen në dritën e efekteve që prodhuan për fatet e popujve dhe të njerëzimit në përgjithësi, na e bëjnë të qartë se është fjala për zhvillime të programuara nga Krijuesi i Botërave.

Roli i Muhamedit, a.s., si bartës i shpalljes dhe si realizues praktik i saj, ishte specifik. Fitoret e muslimanëve kundër idhujtarëve, ishin të udhëhequra prej tij, ndërsa fitorja e bizantinëve ndaj Persisë, e shpallur në suren Er Rum, disa vite para se ajo të ndodhte, ishte e publikuar po prej tij.

Është krejt e qartë se një personalitet i tillë, të cilit i ishte ngarkuar detyra që të sillte shpalljen hyjnore përfundimare për tërë njerëzimin, me të cilën do të transformoheshin esencialisht dhe përgjithmonë fatet e shumë popujve, ishte i veçantë në tërësinë e vlerave morale, emocionale, intelektuale e shpirtërore, e ku dhembshuria për njerëzit e për njerëzimin në tërësi, ishte njëra nga cilësitë e shprehura shumë qartë.

Edhe para se t’i vinte profetësia, njeriu që strukej krejt i vetmuar në shpellën Hira të malit Nur, dhe u dorëzohej meditimeve të gjata, ishte i mbrujtur me pastërti morale e me ndershmëri, që e dallonte nga të gjithë njerëzit. Prandaj edhe i kishin vu emrin njeriu besnik, shumë vite para se t’i vinte profetësia.
Por, ai edhe para shpalljes e edhe në vitet e para të saj, ishte njeri i pafuqishëm, në botën që po katandisej gjithnjë e më rëndë në degradim moral e në dhunë. Në një botë të tillë, as vizionariteti i tij dhe i asnjë njeriu, nuk do të mjaftonte për të jetësuar projektin e transformimit të fateve të shumë popujve, pa e pasur mbrojtjen e Krijuesit të Botëve.

Prandaj, kur filloi t’i vinte shpallja, druajtja e tij nga amaneti i madh që po i ngarkohej, ishte njerëzore dhe ai provoi të fshihej nën batanijë. Mirëpo, shpejt u urdhërua që të dilte e të përhapte Shpalljen Hyjnore. Prej këndej është e qartë se guximi, durimi, energjia, vendosmëria, sukseset dhe triumfi final, kanë qenë të mundshme vetëm për shkak se ai vërtet ishte i zgjedhur nga Zoti si profet, madje si vula e profetëve.
Për këtë arsye, as arroganca dhe dhuna e banorëve të Taifit, nuk e hidhëruan, deri në atë masë sa të kërkonte dënimin e atij vendi. Përkundrazi, edhe i fyer e i përgjakur nga sulmet barbare, ai pati më shumë dhembshuri dhe prandaj bëri lutje që ata banorë të ktheheshin në rrugën e drejtë. Dhembshuria e tij ishte vendimtare që ai urdhëroi grupin e pasuesve të vet, që të emigronin në Abisini, në mënyrë që të mos u ekspozoheshin torturave të idhujtarëve.

Edhe kur triumfi i Islamit po bëhej realitet, Muhamedi a.s. mbeti modest, korrekt, e i dhembshur ndaj njerëzve. Kur hyri fitimtar në Mekë, ai u tha njerëzve se ishin të lirë të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Nuk iu hakmor as atyre që e kishin provokuar, e kishin sulmuar, e kishin detyruar të emigronte nga vendlindja e vet. I la njerëz të lirë.
Për të arritur komunikim më të mirë e në shenjë respekti ndaj të gjithëve, fiseve të ndryshme u fliste në dialektet e tyre. Ndërsa, nga letrat që u dërgoi prsonaliteteve të ndryshme të asaj kohe, shihet qartë se çdo fjalë thuhej me kujdes, për të afruar e për të përfituar zemrat e njerëzve në rrugën e vërtetë të besimit në një Zot të Vetëm.
Termat dhe toni i letrës që i dërgoi papës, me gjuhën e sotme mund të vlerësohen si kulminacioni i ofertës ekumenike: Po e citoj: “ Unë besoj se Isa (Jezusi,a.s.), djali i Merjemes/Marisë, ishte shpirt prej Allahut dhe fjalë e Tij. Allahu e futi atë në Merjemen e devotshme. Unë i besoj Allahut, të gjithë librave të tij dhe urdhërave të Tij, të cilat Ai m’i shpalli mua dhe të cilat Ai ia ka shpallur Ibrahimit (a.s,), Ismailit, (a.s.), Is’hakut, (a.s.), Jakubit, (a.s.) dhe pasardhësve të tyre. Unë gjithashtu besoj në atë që Allahu i shpalli Musait (a.s.), Isës (a.s.) dhe pejgamberëve të tjerë. Në fe dhe besim ne nuk bëjmë dallim në pranimin e pejgamberëve.”

Edhe ligjërata e tij në haxhin lamtumirës është e përshkuar nga dashuria dhe nga dhembshuria për njerëzit. Me atë rast ai tha:
“Ruajeni, respektojeni dhe nderojeni vlerën e personalitetit dhe dinjitetit njerëzor. Njeriu është vepër madhështore e All-llahut dhe mjerë ai që nënçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së All-llahut.”

Këto mesazhe për ruajtjen, respektimin dhe nderimin e dinjitetit njerëzor, janë aktuale edhe sot dhe do të jenë të vlefshme deri në fundin e jetës njerëzore mbi faqe të tokës.
Shembujt e dhembshurisë së Muhamedit a.s., janë të shumta dhe nuk mund të paraqiten në një rast si ky. Por, në një rast si ky duhet të riafirmohet mesazhi i tij për paqe mes njerëzve, për respekt mes njerëzve, për tolerancë e për dhembshuri ndaj njëri tjetrit.

Jetojmë në një botë ku këto vlera janë nëpërkëmbur në një masë të madhe nga njerëzit, madje edhe nga shumë njerëz që deklarativisht thonë se ndjekin rrugën e pejgamberit të fundit. Por, deklarimi dhe veprimi duhet të jenë unikë, për të dhënë provën e të qenmit në rrugën e drejtë. Ata që propagandojnë dhunën, terrorin, intolerancën, nënçmimin ndaj njerëzve në bazë të ndarjeve racore, gjinore ideologjike ose fetare, nuk janë pasues të vërtetë të Islamit.

Ndërsa, ata që karikojnë dhe tematizojnë me tone negative figurën e Muhamedit, a.s.,si gjoja profet i dhunës, duhet ta lexojnë qoftë dhe vetëm Traktatin e Medinës, e të shohin se si ishte rregulluar bashkëpunimi ndërmjet, muslimanëve, hebrenjve e të krishterëve, në shekullin e VII, pra, para katrëmbëdhjetë shekujve.
Dhembshuria e pejgamberit të fundit, Muhamedit., a.s., u manifestua edhe në planin familjar, në mesin e bashkësisë myslimane, në raport me kundërshtarët e mundur, ndaj robërve, e madje edhe ndaj fajtorëve. Ajo dhembshuri është një gurrë nga e cila përherë buron përkushtimi ndaj shpëtimit të njeriut nga mëkatet dhe nga padrejtësia në këtë botë dhe përpjekja për t’i ndihmuar njeriut që ta gjejë udhën e shpëtimit në këtë botë dhe në botën e përjetshme.

Po ta ndiqte njerëzimi rrugën e tij, duke kultivuar edhe dhembshurinë njerëzore, nuk do të përjetonte katrahurat e skizmave të doktrinare fetare, të kryqëzatave, të Inkuizicionit, të revolucioneave shkatërrimtare sociale, të fashizmit, të nacizmit, të racizmit, të antisemitizmit, të komunizmit, të terrorizmit e të islamofobisë.
Duhet të vetëdijësohemi përfundimisht se bota mund të fitojë paqen universale, vetëm nëse respekton shpalljet Hyjnore dhe udhëzimet e profetëve. Deri tash është provuar se sa më shumë që është larguar prej tyre, duke adoptuar ideologji të shkëputura nga programi Hyjnor, ka përjetuar më shumë vuajtje e ka prodhuar më shumë urrejtje e dhunë.

Nuk ka asnjë dyshim se kështu do të jetë edhe në të ardhmen, nëse nuk ndodh një rikthim i vërtetë në programin hyjnor që Zoti i Botëve ka pëlqyer dhe urdhëruar për njerëzimin në këtë botë. Rrjedhimisht, duhet të mirret si model për t’u pasuar dhembshuria e profetit të fundit njerëzimit, Muhamedi, a.s., për të cilën Allahu Fuqiplotë në ajetin 4 të sures El Kalem, ka thënë: ‘Vërtet ti je me virtytet më të bukura’.

(Kumtesë e lexuar në tubimin me rastin e shënimit të ditëlindjes së profetit Muhamed, më 22 prill 2006 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.)