Kështu vjedhin të mëdhenjtë dhe të fuqishmit

956

(Një tregim relaksues)

Dy vjedhës kishin hyrë në një pallat të një pasaniku dhe e kishin gjetur kasafortën në të cilën pasaniku i ruante paratë.

Njëri nga vjedhësit ishte me shumë përvojë dhe arriti ta hapte kasafortën pa e thyer. I vendosi të gjitha paratë mbi tryezë dhe u ul në një karrige, pastaj i tha kolegut të tij të ri, i cili sapo i kishte mësuar shkathtësitë e vjedhjes:

“Ulu pranë tryezës dhe nxirri letrat se duam të luajmë letra!”

Vjedhësi i ri u përgjigj:

“Çfarë loje me letra në pallatin e huaj, ne duhet të ikim nga këtu sa më parë bashkë me paratë. Do të luajmë me letra kur të shkojmë në shtëpi.”

Vjedhësi i vjetër, me një zë kërcënues i tha:

“Unë jam udhëheqësi, ti bëj atë që them unë! Ulu pranë tryezës dhe fillo të luash letra!”

Vjedhësi i ri e dëgjoi, kurse më pas shefi i tij i tha:

“Lëshoje radion dhe ngritja zërin!”

I riu e dëgjoi, edhepse dridhej i tëri, sepse ishte i bindur se së shpejti do të arrestoheshin.

Së shpejti para tyre u shfaq pronari i pallatit me një armë në dorë duke bërtitur:

“Çka po bëni këtu, ju banditë hajdutë?”

Atëherë vjedhësi i vjetër i tha kolegut të tij të ri:

“Mos ia vë veshin atij, por vazhdo të luash!”

Dhe ata të dy po vazhdonin të luanin letra, kurse pronari i pallatit i thirri policët, të cilët së shpejti erdhën në pallat. Kur policët hynë në pallat, pronari u tha atyre:

“Këta dy hajdutë e kanë thyer kasafortën time, kurse paratë që i vodhën janë para tyre në tryezë.”

Me atë rast vjedhësi i vjetër u tha policëve:

“O zotërinj, ky njeri është gënjeshtar. Ai vetë na ftoi të luanim letra me të dhe ne e fituam lojën. Pasi që i humbi të gjitha paratë e tij, e nxori armën e tij dhe tha: ‘Ose mi ktheni paratë ose unë do t’i thërrasë policët dhe do tu them se ju jeni hajdutë!”

Polici shikoi në tryezë, pranë së cilës ndodheshin dy vjedhësit, më pas e shikoi grumbullin e madh të parave, si dhe radion prej së cilës dëgjohej muzikë me zë të lartë, kështu që në bazë të kësaj besoi në atë që i tha vjedhësi i vjetër. Pastaj iu kthye pronarit të pallatit, duke i thënë:

“Shihet se ti ke luajtur letra me këta djem dhe i ke humbur të gjitha paratë, më pas i ke thirrur policët. Nëse këtë e bën edhe një herë tjetër, ne do të arrestojmë dhe do të burgosim.”

Pastaj u nis që të shkojë nga pallati. Mirëpo, para se të largohej nga pallati, vjedhësi me përvojë i tha atij:

“O zotëri, nëse ju shkoni dhe na lini vetëm me këtë njeri, ky mund të na vrasë neve!”

Polici u pajtua me këtë konstatim, andaj i urdhëroi vjedhësit që t’i marrin të gjitha paratë dhe nën përcjellje të policisë ta lëshojnë pallatin.

***** *****

Kështu veprojnë hajdutët e mëdhenj dhe të fuqishëm. Në mënyrë të ngjashme sot, vendet imperialiste i vjedhin dhe plaçkisin pasuritë e botës, i marrin dhe uzurpojnë vendet e huaja bashkë me të gjitha resurset e vendeve të pushtuara, pastaj i robërojnë, i dëbojnë dhe i vrasin banorët dhe pronarët e vërtetë të atyre shteteve. Ndërsa ata që e kundërshtojnë vjedhjen dhe veprimet e tyre penale, i shpallin gënjeshtarë, terroristë, armiq të paqes dhe demokracisë dhe i kërcënojnë me dënime drakonike, pasiqë ua kanë konfiskuar dhe grabitur të gjitha.

Përkthim: Miftar Ajdini