Ti o biri im, nuk ke nevojë për një haxhillëk tjetër!

748

Pasi që unë merrem me punë humanitare, të njohurit e mi nëse mësojnë për ndonjë familje me gjendje të vështirë ekonomike apo shëndetësore, më telefonojnë dhe më pyesin, a ka ndonjë euro për tu ndihmuar atyre. Falënderoj Allahun, unë kam një rreth miqsh të cilët rregullisht ndihmojnë (dhurojnë të holla), aq sa kanë mundësi, kur paraqitet nevoja.

Një ditë, derisa isha në punë, më erdhi ky mesazh: “Përshëndetje (selam), është urgjente, një vëlla dhe motër jetojnë së bashku, të dy janë në moshë të vjetër, të sëmurë, sidomos vëllai, nuk kanë asgjë për të ngrënë dhe kanë borxh rreth 200 euro në tri barnatore, andaj nëse ke pak të holla, t’ju blejmë ushqim dhe t’jua paguajmë borxhin. Selam.”

Ju përgjigja shkurt: “Alejkum selam, do të ketë diçka, dashtë Zoti!”

Kah fundi i orarit të punës, më thirri gruaja ime, e cila ishte në muajin e katërt të shtatzënisë: “Të lutem, eja shpejt në shtëpi, më është shkaktuar gjakderdhje e madhe, po frikësohem!”

E luta kolegen që të më zëvendësojë në punë dhe me nxitim shkova në shtëpi. Pas kontrollimit te mjekja, u konstatua se kjo gjakderdhje, në qoftë se nuk ndalet, nëse nuk ndërpritet mund të shkaktojë abort spontan. Duke u mbështetur në Allahun, u nisëm për në spitalin rajonal. Pasi që e vendosa gruan në spital u ktheva në shtëpi. Në tre ditët e ardhshme e vizitova dhe i telefonova. Ajo ndjehej më mirë, por gjakderdhja dhe dhimbjet nuk ju ndalen.

Gati kisha harruar për rastin e atij vëllai dhe motre që kishin nevojë për ndihmë. Unë kisha me vete 300 euro, nafaka e tyre. Atë ditë pasi u ktheva nga vizita e bashkëshortes, i vizitova të tri barnatoret dhe ua pagova borxhin, kurse me pjesën tjetër të parave bleva artikuj ushqimorë, pastaj shkova në qebaptore për t’i qerasur edhe me qebapë nga unë.

Unë nuk e dija se ku e kanë shtëpinë, andaj u detyrova të pyes. Njerëzit e mirë më drejtuan në skaj të fshatit, rruga ishte vështirë e kalueshme, kështu që u mundova derisa arrita atje. I rashë ziles. Mezi, e përkulur mbi një shkop, doli një grua e vjetër rreth të 60-ave. I tregova se kush isha dhe pse kam ardhur. Së pari i thashë se borxhet në barnatore janë paguar, pastaj i tregova se edhe pak ushqim i kemi blerë.

Pas kësaj, ajo u ul në një karrige para shtëpisë dhe duke qarë më tha: “O biri im, veshkat më janë trazuar, kurse vëllai gati i palëvizshëm, këto ditë na janë harxhuar të gjitha, dje nga fqinjët kam kërkuar të marrë hua një supë, nuk kam asgjë.”

Pasi që e qetësova shkova te makina dhe fillova t’ia sjellë qeset e mbushura me artikuj ushqimorë.

Në fytyrën e saj pashë një rreze shprese dhe lumturie, subhanallah, këta njerëz sa janë të pasur, atyre nuk ju nevojitet shumë, lumturia e tyre është shumë më e fortë se lumturia e të pasurve. Derisa i vendosa qeset në korridor, ajo më tha:

“Ti, o biri im, nuk ke nevojë edhe për një haxhillëk tjetër, vetëm sikur ta din se sa sevape ke fituar!”

U ndala të pushoj, pastaj i thashë: “Oj nënë, unë kam qenë në haxhillëk, por unë kam nevojë për lutjet tua, shoqen e kam në spital, ka probleme me shtatzëninë.”

Ajo i ngriti duart dhe bëri lutje: “Ah, Allahu i dashur dhashtë që ajo të shërohet dhe çdo gjë të bëhet si është më mirë, do të bëhet dashtë Allahu, të faleminderit o bir, Allahu ju ruajt kudo që të shkoni!”

Derisa ajo bënte lutje, unë në vetvete ndoshta me dhjetëra herë përsërita: “Amin!”

Pastaj u përshëndeta me selam, u ula në makinë dhe u ktheva në shtëpi. Derisa po kthehesha në shtëpi në kokën time më sillej fjalia e asaj plake:

“Ti, o biri im, nuk ke nevojë edhe për një haxhillëk tjetër.”

Çfarë do të thotë kjo!

Atëherë në mendje më erdhi transmetimi për dijetarin e famshëm Abdullah ibn Mubarek dhe që pikërisht e ka kuptimin e asaj që për mua më tha kjo gjyshe.

Për shkak të rëndësisë së fjalisë së saj, të cilën me gjasë e ka mësuar në mësim besim, rastin e tij po jua përcjell në tërësi.

***** ***** *****

Transmetohet se Abdullah ibn Mubareku ishte nisur për në haxhillëk, dhe kur kishte mbërritur në Kufe, ai e kishte pa një grua e cila po ja hiqte pendlat një rose. Abdullahu mendoi se ishte një rosë e ngordhur, andaj e pyeti atë grua, e cila ju përgjigj:

“Po, e kam gjetur të ngordhur, dhe dua që ta përgatisë për vete dhe për fëmijët e mi për darkë.”

“Allahu e ka ndaluar atë që është e ngordhur!”, i tha Abdullahu.

“Ka qe tri ditë që unë dhe fëmijët e mi nuk kemi ngrënë asgjë, kështu që nuk kam pasur tjetër zgjidhje”, u përgjigj gruaja.

Abdullahu e mori devenë e tij e cila ishte e ngarkuar me ushqime, veshje dhe nevoja të tjera, dhe shkoi te shtëpia e asaj gruaje dhe i tha: “Merre këtë deve dhe gjithçka që ka në të, ju keni nevojë për të më shumë se unë!”

Atëherë Abdullah ibn Mubareku u kthye në qytetin e tij, dhe atë vit nuk shkoi në haxhillëk.

Pasi që tashmë po i mungonte deveja e tij, duke u kthyer deri në shtëpinë e tij, ai udhëtoi më gjatë, dhe kjo bëri që të mbërrinte pikërisht kur po u ktheheshin edhe haxhinjtë që atë vit kishin shkuar në haxhillëk. Kur njerëzit që po i pritnin haxhinjtë filluan t’ia urojnë haxhillëkun edhe atij, ai u tha: “Unë nuk e kam kryer haxhillëkun këtë vit!”

Atëherë njëri nga haxhinjtë i tha: “Subhanallah! (Lartësuar qoftë Allahu!) A nuk mi ruajte ti teshat në Mekë, derisa unë shkova në filan vendin? “

Një tjetër haxhi, i tha: “A nuk më dhe ujë në filan vendin?”

Një i tretë i tha: “A nuk i bleve me mua ato dhe ato gjëra?”

Abdullahu me habi ju përgjigj: “Unë nuk di asgjë, për këto gjëra që ju po flisni!”

Atë natë ai e pa në ëndërr një njeri i cili i tha atij: “O Abdullah! Allahu ta pranoi sadakën (bamirësinë) tënde dhe e dërgoi një melek në pamjen tënde, dhe ai e ka kryer haxhillëkun për ty, sepse ti atë sadakë e dhe me nijet (qëllim) të sinqertë, duke e kërkuar me të kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin prej Tij, dhe jo diçka nga shpërblimet dhe kënaqësitë e kësaj bote!”

***** ***** *****

Në mëngjes, më thirri gruaja, nga zëri i saj shihej se është e gëzuar, ajo më tha: “Myzhde, fëmija është mirë, gjakderdhja më është ndalur dhe nesër mund të vij në shtëpi.”

Falënderimi i qoftë Allahut, ndjeva një lehtësim, e falënderova Allahun për sprovën dhe përfundimin e mirë.

Unë nuk e di, a u ndal gjakderdhja për shkak të lutjes së asaj plake apo për diçka tjetër, por sidoqoftë, Allahu e di, unë jam i sigurt, se lutja e saj ka pjesë në të.

Përshtati: Miftar Ajdini