Sadakaja i tejkalon veprat tjera të mira

887

Një njeri erdhi tek Pejgamberi savs dhe iu ankua për varfërinë. Më ka goditur skamja! – i tha ai.

Pejgamberi savs e kërkoi nga gratë e tij (diçka) që t’i ndante si sadaka, por në mesin e tyre nuk kishte asgjë që mund t’i jepnin atij.

Pejgamberi savs u drejtua kah shokët e tij duke i pyetur: A ka dikush që sonte do ta pranonte (si mysafir) këtë njeri?

U lajmërua ensariu Ebu Talha.

Ai e mori në shtëpi dhe i tha gruas së tij: Ky njeri është musafiri i Pejgamberit savs, mos e nënçmo me asgjë!

Gruaja ju përgjigj: Pasha Allahun, ne kemi ushqim vetëm sa për fëmijët tonë!

Ebu Talha ia ktheu: Veni fëmijët në gjumë, mysafirin ushqeje, ndërsa ne do të qëndrojmë sonte të uritur! Dhe ajo, ashtu edhe veproi.

Nesër në mëngjes Ebu Talha e fali sabahun me Pejgamberin savs. Pas namazit, Pejgamberi savs i tha atij: Allahu është i kënaqur me ty dhe gruan tënde.

Ky akt i Ebu Talha-s ishte shkak i shpalljes së ajetit:

“E i duan ata që vijnë në Medine dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre (ardhacakëve), por më tepër duan t’u bëjnë mirë atyre se sa vetes, edhe pse madje vetë janë nevojtarë.” (el-Hashr, 9; Buhariu, Tirmidhiu dhe Nesaiu)

Omeri r.a. për sadakanë ka thënë: Veprat e mira garojnë me njëra-tjetrën dhe sadaka thotë: Unë ju kam tejkaluar!

Sadakaja është përpara veprave të tjera sepse ajo është konfirmim i besimit të njeriut. Dhe kuptimi i saj gjuhësor nënkupton dëshmi dhe konfirmim i pranisë së imanit në zemrat tona. Kur flet për sadakanë, Pejgamberi savs thotë: Sadakaja është dëshmi. /Axhaibussadekat/

Për të qenë sadakaja dëshmi e besimit tonë dhe për të na sjellë dobi në ahiret, ajo duhet të jetë në përputhje me fjalët e Allahut.

Për sadakanë Allahu i Plotfuqishëm thotë: Fjala e mirë dhe falja e gabimit është më e vlefshme se sadakjaa që përcillet me fyerje. /2/263 /

Nëse sadakanë e jepni haptazi, kjo është mirë, e nëse ua jepni të varfërve fshehurazi – ajo është edhe më mirë. /2/271/

O besimtarë! Mos e shëmtoni të mirën e sadakasë suaj me reklamacion dhe fyerje! /2/264/

Feja na mëson dhe kërkon nga ne që të varfrin mos ta kthejmë nga pragu i shtëpisë. Pejgamberi savs thotë: Jepni lypësit, qoftë edhe përshesh të djegur! /Gazaliu-Ihja/ Se shpërblimi për një akt të tillë nuk do të mungojë.

Tirmidhiu transmeton se Pejgamberi savs ka thënë:

Nëse muslimani e vesh një të varfër, Allahu do ta veshë atë me veshje të xhennetit. Nëse e ushqen një të varfër, Allahu do ta ushqej me fryte të xhennetit. Nëse i jep të pijë, Allahu do t’i jep të pijë nga pijet e vulosura të xhenetit!

Është pyetur Pejgamberi savs: Cila vepër është më e dashur te Allahu?

Ai është përgjigjur: Allahu i Plotfuqishëm është i kënaqur: që t’i sjellësh gëzim një muslimani dhe t’ia largosh një brengë apo t’ia shlyesh një borxh. Unë më shumë kam dëshirë që të jam pranë një vëllai tim (musliman) kur është në vështirësi dhe në nevojë, sesa të kaloj në këtë xhaminë time një muaj në itikaf! /Axhaibussadekat/

Nga burimet e fesë kuptojmë se sadakaja është vepër e jashtëzakonshme. Ajo i sjell gëzim dhënësit dhe i sjell lehtësim kërkuesit. Gjithashtu, nga burimet e fesë mësojmë se sadakjaa nuk është vetëm me para. Kjo është më shumë se ndihmë materiale.

Pejgamberi savs thotë: Sadakaja është edhe kur një musliman fiton dituri, dhe atë dituri ua mëson të tjerëve. /Ibn Maxhe/

Me sadakanë është i obliguar çdo njeri. Le të ndajë secili nga ajo që posedon.

Fjala e mirë është sadaka! Ka thënë Pejgamberi savs të transmetuar nga Muslimi.

Pastaj ka thënë edhe këtë: Për çdo nyje të njeriut, çdo ditë kur del dielli, duhet të jepet sadaka. Nëse i pajton dy veta dhe sillesh drejtë me ta, edhe kjo është sadaka. Çdo hap që bën për namaz, është sadaka. /Buhariu, Muslimi/

Umeti islam në historinë e tij, ka përjetuar edhe kohë të atilla, kur nuk kishte se kujt t’i jepej zekati dhe sadakaja. Në atë shoqëri, kur udhëhiqte halifi i drejtë Omer ibn Abdulazizi, nuk kishte të varfër, nevojtar… Atëherë zekati orientohej për dituri dhe kulturë. Nga ai fond janë financuar libra dhe bamirësi të tjera që dëshmuan për progres të jashtëzakonshëm dhe stabilitet të shoqërisë dhe shtetit musliman.

Ne sot këtu, si dhe një pjesë e madhe e Umetit të Pejgamberit savs, po jetojmë në një kohë ku është një armatë e njerëzve të papunë, një numër i madh janë të rrezikuar, lirisht mund të themi se njerëzit janë të uritur. Është një numër i madh i atyre që jetojnë, siç thuhet, në varfëri ekstreme. Ka shumë prej atyre që kërkojnë sadaka dhe e shtrijnë dorën për sadaka.

Midis tyre ka nga ata që vërtetë janë të nevojshëm dhe kanë të drejtë në sadaka. E drejta e tyre është në pasurinë tonë, Allahu i Madhërishëm ua ka përcaktuar të drejtën në pasurinë tonë. /edh-Dharijat, 19/

Megjithatë, ka edhe të atillë që e kërkojnë dhe presin sadaka, por në të nuk kanë të drejtë.

Kabis ibn Muharik el Halili kishte ardhur te Pejgamberi savs dhe i kishte kërkuar ndihmë për pagesën e shpagimit (gjakut), kurse Pejgamberi savs i kishte thënë:

Qëndro këtu, derisa të na vjen ndonjë sadaka, dhe unë do të urdhërojë që të japin ty. Pastaj tha: O Kabis, me të vërtetë, nuk është e lejuar lypja, përveç në tri raste:

– Kur dikush është i detyruar ta paguaj shpagimin ose gjakun, atij i lejohet që të lypë vetëm aq sa ta shlyejë detyrimin.

– Kur një person pëson dëme në pronën e tij, i lejohet që të lypë aq sa ta riparoi dëmin e pësuar.

– Kur një njeri e godet varfëria, dhe 3 njerëz të arsyeshëm nga rrethi i tij thonë: Këtë vërtetë e ka shtrënguar skamja. Atij i lejohet që të lypë aq sa të mbledhë mjete për mbijetesë. Çdo lypje tjetër, o Kabis, është haram dhe shkatërrim për njeriun! /Muslimi, Ahmedi, Ebu Davudi/

Edhe në njërën anë edhe në anën tjetër, duhet që sjelljen tonë ta harmonizojmë me atë që na shpije te kënaqësia e Allahut të Madhërishëm.

Njerëzit e pasur duhet ta dëgjojnë dhe të jenë të vetëdijshëm për betimin e Pejgamberit savs ku thotë se çdokush që e hap dorën e tij dhe jep nga pasuria e vet, Allahu atij do të ja shumëfishojë.

Njerëzit e varfër duhet ta dëgjojnë dhe të jenë të vetëdijshëm për betimin e Pejgamberit savs në të cilin thotë se njeriut që e zgjat dorën e tij për të lypur, duke qenë i aftë për punë dhe fitim, Allahu do t’ia rrisë varfërinë.

Le të jemi të vetëdijshëm për përkohshmërinë e kësaj bote dhe të përpiqemi që me atë që na është dhënë, ta arrijmë kënaqësinë e Allahut.

O Allahu i Plotfuqishëm, na bën prej atyre që i ndihmojnë të tjerët dhe dora e të cilëve gjithmonë do të jetë e lartë. Amin!

Burimi: rijaset.ba

Perkthim: Miftar Ajdini