Imami që kishte parë në ëndërr një njeri se ishte nga banorët e xhenetit!

1057

Imami i një xhamie e kishte parë në ëndërr një njeri se ishte nga banorët e xhenetit, edhe pse nuk shquhej për vepra të mira. Një ditë e ndaloi atë dhe i tha: “Unë ty të pashë ëndërr se ti je në xhenet, më trego se çfarë ke bërë (çka mendon pse e ke merituar xhenetin)?”

Njeriu refuzoi të flasë, por pasi që imami ishte shumë këmbëngulës, në fund ai ra dakord, por me kusht që mos ta përmend emrin e tij dhe le ta dijë se këtë tregim po ia tregon vetëm si mësim, duke shpresuar për faljen nga Allahu.

Kështu ai e filloi tregimin:

“Unë u martova dhe u veçova me nusen time, pastaj e kuptova se ajo ishte në muajin e dytë apo të tretë të shtatzënisë, natyrisht – me dikë tjetër.

Mirëpo, unë këtë e fsheha edhe nga familja ime edhe familja e saj, në mënyrë që mos të mësojnë diçka për gjendjen e saj e pastaj ta konsiderojnë të keqe. Shi për këtë, unë ju ndalova atyre që ta vizitojnë atë, por edhe asaj ia ndalova mos ta vizitojë dikë.

Pastaj erdhi koha e lindjes, dhe unë e gjeta një grua që t’i ndihmojë asaj në lindje. Pastaj e kam marrë fëmijën dhe e kam vendosur para xhamisë. Kjo ishte rreth orës 2:00 apo 3:00 në mëngjes, dhe kur u dëgjua ezani i sabahut unë shkova në xhami. Në hyrje të xhamisë, pashë njerëz të mbledhur përreth fëmijës, të cilët më treguan se çfarë kishte ndodhur.

Unë ju thashë se fëmija me siguri është jetim, dhe pasi që edhe ata e konfirmuan, unë e mora dhe e çova në shtëpinë time.”

Kur gruas së tij i kaloi nifasi, ai e solli imamin dhe dëshmitarët nga një qytet tjetër dhe përsëri bëri kurorë me atë gruan.

“Tani ajo është gruaja ime dhe nëna e fëmijëve të mi, dhe gjatë gjithë këtyre viteve për këtë askush nuk di asgjë.”

Paramendoni nëse dikush tjetër të kishte qenë në vendin e tij – me siguri rasti i saj do të ishte përhapur me zë të lartë.

*** *** ***

Ebu Hurejre r.a. transmeton hadithin në të cilin Pejgamberi savs ka thënë: “Kush ia shmang besimtarit një vështirësi nga vështirësitë e kësaj bote, Allahu do t’ia shmang atij një vështirësi nga ato të Ditës së Gjykimit. Dhe kush ia lehtëson atij që është në vështirësi, Allahu do ta lehtësojë atë në këtë botë dhe në botën tjetër. Dhe kush ia fsheh (turpin) muslimanit, Allahu do ta fsheh (turpin e tij) në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu e ndihmon robin e Tij për sa kohë që ai e ndihmon vëllain e vet.” (Muslimi)

Allahu i Lartësuar thotë: „Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në Allahun…“ (Alu Imran, 110)

Përshtati: Miftar Ajdini