Si e detyroi gruaja xheloze burrin e saj, që të mos martohet pas vdekjes së saj

585

Thuhet se një grua e donte aq shumë burrin e saj saqë xhelozia ia turbulloi mendjen. Burri në fillim e pranoi këtë lloj ndjenje, dhe e justifikoi me faktin se ndiesitë e tilla ishin rezultat i dashurisë së papërshkrueshme për të. Mirëpo, çështja i doli nga kontrolli dhe xhelozia evoluoi deri në atë masë, saqë ai më nuk po mund të funksiononte normalisht.

Xhelozia e saj ishte aq e madhe saqë ajo ishte xheloze edhe ndaj hyrive të xhenetit të cilat Allahu i Plotfuqishëm burrave ua ka premtuar në Xhenet. Burri u përpoq në të gjitha mënyrat ta rregullonte situatën dhe ta shëronte xhelozinë e sëmurë të gruas së tij. Ai u përpoq që të ndikonte edhe në vetëdijen e saj, dhe t’i shpjegonte se xhelozia e saj ishte bërë lak rreth qafës së tij, i cili gjithnjë e më tepër po e shtrëngon dhe ngulfat, pastaj, se kjo do të thotë, se ajo nuk ka besim në të, dhe se një sjellje e tillë në mënyrë të pashmangshme do të ndikojë edhe në jetën e tyre bashkëshortore, por gjithçka ishte kot.

Në fund, ai u përpoq të përshtatej dhe ta mirëkuptonte gruan e tij. I kërkonte asaj justifikime të ndryshme, ndër të tjera, edhe në faktin se ajo ishte shterpë dhe, për shkak të dashurisë së pakufishme për burrin e saj, ajo kishte frikë mos po martohej edhe me një tjetër, ose ndoshta do të shkurorëzohej.

Vitet kaluan dhe pastaj erdhi momenti kur bashkëshortja e tij duhej të largohej nga kjo botë dhe të ndahej nga burri i saj i dashur. Ajo ishte e vetëdijshme për këtë moment, andaj, në shtratin e vdekjes, e pyeti burrin:

“A do të martohesh, pasi të vdes unë?”

Burri u përgjigj: “Unë kurrë nuk të kam gënjyer, andaj nuk do të gënjej as tani. Kam jetuar me ty një jetë të pastër dhe të ndershme dhe ne ishim për njëri-tjetrin mbrojtës të vërtetë dhe miq. Megjithatë, unë kam vendosur që të martohem pas vdekjes tënde.”

Kjo për gruan e tij ishte edhe më e vështirë se vetë vdekja, andaj kërkoi prej tij që ta kryejë dhe respektojë një porosi të saj. Në fakt, ajo kërkoi prej tij që mos të martohej derisa dheu mbi varrin e saj të mos thahet plotësisht.

Burri në fillim nuk e kuptoi domethënien e këtyre fjalëve, dhe mendoi se kjo do të thotë, se ai nuk duhet të nxitojë në martesë menjëherë pas vdekjes së saj.

Edhe atij, gjithashtu, i erdhi e vështirë ndarja me gruan e tij të dashur, andaj kohë pas kohe shkonte për ta vizituar varrin e saj, dhe sa herë që shkonte, dheu mbi varr ishte me lagështi. Ai habitej për këtë dhe i kujtohej porosia që ia kishte lënë gruaja, andaj, pasiqë i kishte premtuar se do ta respektojë, ky e shtynte martesën e tij.

Pas një kohe, ai përsëri vendosi ta vizitonte varrin e bashkëshortes, mirëpo, kur erdhi në varreza kishte çfarë të shihte. E pa vëllain e gruas së tij duke hedhur ujë mbi varrin e saj dhe në dheun përreth. I habitur me veprimin e tij, e pyeti:

“Pse po bën këtë?”

Ai u përgjigj: “Motra ime më ka porositur që çdo ditë të vijë te varri i saj dhe të derdhi ujë mbi të.”

Vetëm atëherë ai e kuptoi se gruaja e tij kishte bërë një plan për të detyruar burrin e saj që të mos martohet me një tjetër pas vdekjes së saj.

Përkthim: Miftar Ajdini