Gruaja si simbol i devotshmërisë dhe bujarisë!

582

Thuhet se në kohën e Musait (a.s.), jetonte një çift i martuar që ishin jashtëzakonisht të varfër. Varfëria e tyre zgjati shumë dhe nga ajo ata mbroheshin vetëm me durimin e besimtarëve.

Një natë, derisa ishin të shtrirë në shtrat, gruaja e pyeti burrin e saj: “A nuk është Musai (a.s.) i Dërguari i Allahut dhe a nuk po fol drejtpërdrejt me Allahun?” “Po.” – u përgjigj burri. Gruaja i tha: “Atëherë, pse të mos shkojmë tek ai dhe t’i ankohemi për gjendjen tonë të vështirë, dhe le ta lus ai Allahun që të na furnizojë nga bollëku i Tij, në mënyrë që pjesën tjetër të jetës ta jetojmë në pasuri dhe prosperitet?” Burri u përgjigj: “Propozimi yt është i mrekullueshëm, grua!”

Në mëngjes shkuan te Musai (a.s.), u ankuan për gjendjen e tyre dhe i kërkuan që t’i lutej Allahut që t’u jepte pasuri, e cila do t’i bënte të pavarur nga njerëzit.

Musai (a.s.) i dëgjoi dhe iu lut Allahut që asaj familje, pra çiftit të martuar, t’i jepte pasuri. Allahu i Plotfuqishëm, iu përgjigj lutjes së tij dhe i shpalli: “O Musa, thuaju se do t’u dhuroj furnizim atyre, dhe ata do të jenë të pasur, por vetëm një vit. Kur të kalojë një vit ata do të kthehen sërish në gjendjen e mëparshme të varfërisë.” Musai (a.s.), i njoftoi për këtë dhe ata të dy u gëzuan pa masë për lutjen e pranuar.

Dhe, me të vërtetë, atyre u erdhën furnizime nga të gjitha anët, prej nga as që e kishin pritur. Ata u bënë jashtëzakonisht të pasur, si rezultat i së cilës jeta e tyre ndryshoi rrënjësisht. Mirëpo, ashtu siç varfëria nuk i hodhi në dëshpërim, ata as pasuria nuk i bëri mendjemëdhenj.

Gruaja e devotshme një ditë i tha burrit të saj: “Duhet ta kemi parasysh se pasuria jonë do të zgjasë vetëm një vit, kurse pastaj përsëri ne do të kthehemi në varfëri, prandaj propozoj që këtë pasuri ta investojmë dhe ta përdorim, që njerëzit të na kujtojnë si bamirës, ashtu që kur të kalojë një vit, dhe kur të kthehemi në varfëri, njerëzit ta kujtojnë bamirësinë tonë dhe të na ndihmojnë ashtu siç i kemi ndihmuar ne ata.”

Burri përsëri u pajtua me mendimin e gruas së tij dhe vendosën që të ndërtonin një shtëpi për udhëtarët, dhe atë, në vendin ku kryqëzoheshin shtatë rrugë. Ata e ndërtuan një ndërtesë si karavan saraj, e cila i kishte shtatë dyer, në mënyrë që të mund të hyhej në shtëpi drejtpërdrejt nga të shtatë drejtimet.

Ata e mobiluan shtëpinë dhe ndërtuan një kuzhinë të madhe, kështu që çdo ditë prisnin musafirë dhe udhëtarë nga e gjithë bota. Përgatitnin ushqim për ta dhe ua siguronin bujtjen gjatë natës. Kështu po kalonin ditët dhe muajt , kurse Musai (a.s.) po e ndiqte me kujdes gjendjen dhe sjelljen e tyre.

Kaloi një vit që kur ishin pasuruar, por gjendja e tyre nuk u ndryshua. Ata të dy po vazhdonin të përgatisnin çdo ditë ushqim për udhëtarët, ashtu që edhe e kishin harruar kohën kur do t’u zhdukej pasuria.

Pasi që erdhi viti tjetër, Musai (a.s.), u befasua nga gjendja e tyre, kështu që iu drejtua Allahut me këto fjalë: “O Zot, ti iu përgjigj lutjes sime për këta dy njerëz dhe premtove se do të bëhen të pasur për një vit, kurse tani erdhi viti tjetër, kurse gjendja e tyre e pasurisë dhe e bollëkut nuk po ndryshon. Pse?” Allahu i Lartësuar iu përgjigj: “O Musa, unë u hapa një derë të furnizimit kurse ata hapën shtatë dyer për t’i ushqyer robërit e Mi. Mua më vjen turp që robërit e Mi të jenë më fisnikë se sa Unë.”

Përshtati: Miftar Ajdini