Baba, më këshillo diçka para se të nisesh për rrugë

630

Biri im, merr mësim nga ata që kanë grumbulluar shumë pasuri të kësaj bote, kurse nga kjo botë me vete nuk kanë marrë asgjë përveç qefinit.

Që kur u sëmur, babai vazhdimisht i tregonte të birit për udhëtimin e tij, kështu që i biri e pyeti: – O baba, për ku po përgatitesh dhe ku po shkon?

Babai i tij u përgjigj: Biri im, qëndrimi im këtu ka mbaruar. Tani unë po nisem për rrugë.

Djali: – Baba, për ku po udhëton?

Babai: – Biri im, udhëtimi im është larg, nga vendbanimi i mashtrimit dhe gënjeshtrës për në banesën e së vërtetës.

Djali: – Baba, a do të zgjasë shumë udhëtimi yt?

Babai: – Po, do të zgjasë derisa Allahu ta trashëgojë Tokën dhe gjithçka që ka mbi të.

Djali: – Baba, a e ke përgatitur furnizimin për udhëtimin tënd?

Babai: – Po, bir, por unë do të udhëtoj shumë larg dhe nuk e di nëse furnizimi im do të jetë i mjaftueshëm apo jo, andaj më dërgo pak furnizim.

Djali: – Baba, si mund të ta dërgoj kur ti je në udhëtim?

Babai: – Biri im, bën lutje për mua. Lutju Allahut që të më falë dhe të më mëshirojë, sepse ti nëse pushon së luturi për mua, furnizimi im do të ndërpritet.

Djali: – Baba, a do të shoh unë ty përsëri?

Babai: – Po, do të më shohësh atëherë kur do të mbarojë edhe udhëtimi yt.

Djali: – Baba, më këshillo diçka para se të nisesh për rrugë

Babai: – Biri im, mos lejo që bota të të mashtrojë; merr mësim nga ata që kanë grumbulluar shumë pasuri të kësaj bote, kurse nga kjo botë me vete nuk kanë marrë asgjë përveç qefinit.

Dëgjoje shumë fjalën e Allahut duke dëgjuar Kuran, dhe bisedo me Allahun duke falur namaz, dhe sigurohu tek Allahu duke ndarë sadakë, dhe bëhu shembull i një punëtori në rrugën e Allahut, me moralin dhe sjelljen tënde shembullore, sepse në këtë mënyrë do ta përgatisësh për veten tënde furnizimin për udhëtimin e gjatë që të pret.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)