Njeriu i varfër që mori dhuratë kopshtin me palma…

820

Njeriu i varfër që mori dhuratë kopshtin me palma, pastaj e la vakëf për të mirën e të varfërve të Medinës

Është transmetuar se Omer ibn Ubejdullah ibn Ma’mer et-Tejmi (641-701), i cili gjatë sundimit të Abdullah ibn Zubejrit ishte guvernator i Basrës, kishte kaluar pranë një njeriu i cili ishte duke ngrënë, kurse para tij ishte një qen. Dhe sa herë që njeriu e shtinte një kafshatë në gojë, tjetrën ia jepte qenit.

Omer ibn Ubejdullahu e pyeti: “A është ky qeni yt?”

Ai u përgjigj: “Jo.”

Përsëri ai e pyeti: “Atëherë pse po e ushqen atë si veten?”

Ai u përgjigj: “Më vjen turp të më shohin sytë e tij mua duke ngrënë, ndërsa atij të mos i japë!”

Atëherë Omeri e pyeti: “A je ti një njeri i lirë apo je rob?”

Ai u përgjigj: “Unë jam rob i familjes Benu Asim.”

Pas kësaj, Omer ibn Ubejdullahu shkoi te familja Benu Asim, e bleu prej tyre robin dhe e bleu prej tyre edhe një kopsht me palma. Më pas shkoi te ai robi dhe i tha:

“Unë të kam blerë nga pronari yt, dhe ja tani, në emër të Allahut, po të liroj.”

Njeriu i tha: “Falënderimi i qoftë Allahut, pastaj atij i cili më ka liruar!”

Pastaj Omeri i thotë: “Këtë kopsht e bleva dhe po ta dhuroj ty!”

Njeriu u përgjigj: “Bëhu dëshmitar se po e lë vakëf për të mirën e të varfërve të Medinës!”

Omeri i tha: “Mjerë ti! Po e lë vakëf atë që të nevojitet për vete?!”

Njeriu u përgjigj: “Unë turpërohem nga Allahu, që Ai të më jep diçka nga bollëku i Tij, ndërsa pastaj të më gjejë duke bërë koprraci ndaj krijesave tjera të Tij!”

Përshtati: Miftar Ajdini