Bëni shumë sexhde…

1035

Bëni shumë sexhde,sepse nuk do ta kuptoni vlerën dhe begatinë e sexhdes derisa ta humbni

Duke i këshilluar vajzat e saj, nëna e tyre u tha:

„Bëni shumë sexhde në moshë të re, sepse do të vijë një kohë kur kjo do t’ju mohohet. Këtë nuk do t’ua ​​lejojë pleqëria, lodhja, shpina e shtrembëruar dhe shumë gjëra të tjera.

Fëmijët e mi të dashur, më besoni se sot unë më shumë pendohem për çdo sexhde që kam bërë shpejt dhe pa përkushtimin e nevojshëm, sepse isha e zënë dhe e preokupuar me punët e shtëpisë dhe me përgjegjësitë e nënës. Prandaj, bëni shumë sexhde dhe bëhuni të përkushtuara në sexhde, sepse nuk do ta kuptoni vlerën dhe begatinë e sexhdes derisa ta humbni.“

Ibn Muflih el-Hanbeli, ka thënë: „Është e çuditshme se në çfarë gjendjesh njerëzit ankohen më së shumti dhe pse ankohen. Shumica e njerëzve qajnë dhe pikëllohen për shtëpitë e vjetëruara dhe të shkatërruara, për vdekjen e familjarëve, të afërmve dhe miqve, ankohen për skamje duke e fajësuar kohën për këtë dhe duke e përmendur jetën e vështirë në kohë.

Ndërsa në të njëjtën kohë e shohin rrënimin e Islamit, vdekjen e sunetit, shfaqjen e risive të ndryshme në fe dhe përhapjen e mëkateve dhe korrupsionit në shoqëri, mirëpo, vështirë se gjeni ndonjë prej tyre duke u ankuar për dobësinë e fesë së tij, duke qarë dhe duke u pikëlluar për kohën e humbur dhe për mundësitë e lëshuara.

Unë nuk shoh asnjë arsye tjetër për një qëndrim të tillë ndaj jetës, përveçse indiferentizmit ndaj fesë dhe madhërimit të dynjasë, si dhe dhënies së dynjasë rëndësinë që asaj nuk i takon.“ (Adabush-sher’ijjeti, III / 240);

Përkthim: Miftar Ajdini