Tregimi për një bamirës, i cili të varfërve u ndante paketa me çokollata ‎

520

Tregimin e mposhtëm këshillues dhe interesant, e ka treguar një mjek, i cili thotë:‎

‎“E kam pasur një fqinj, i cili ishte shumë i sjellshëm, i qetë, shumë i shoqërueshëm dhe i ‎dashur me njerëzit. Një ditë e takova derisa po e përgatiste automobilin për të shkuar diku. Ajo ‎që mua më befasoi në veçanti dhe më bëri përshtypje, ishin paketat (20 paketa) me llojet më ‎të mira në çokollatave në ulësen e pasme të automobilit të tij.‎

I dhashë selam dhe e pyeta: ‘Ku po shkon, o fqinj?’‎

Ai ma ktheu selamin dhe më buzëqeshi me një buzëqeshje, kuptimin e së cilës nuk e ‎kuptova, dhe më tha: ‘Ku po mendon se po shkoj? A don të më bësh shoqëri?’‎

Unë i thashë: ‘Po, dua, por mos të shkojmë larg.’‎

Ai tha: ‘Nëse do Allahu, nuk vonohemi.’‎

Kështu që u nisëm për në një lagje shumë të varfër, rreth 45 minuta me automobil larg rrugës ‎sonë. Pastaj ai e ndaloi automobilin, i mori disa paketa me çokollata dhe u nis për te shtëpitë ‎e para. Trokiti në derën e shtëpisë së parë dhe fëmijët ia hapën derën. Kur e panë atë në ‎derë, ata kërcyen nga gëzimi dhe e thirrën nënën: ‘Nënë, nënë! Ka ardhur ai njeriu me ‎çokollata!’ Ai ua dha atyre një paketë me çokollata, foli pak me ta, pastaj kërkoi leje dhe shkoi ‎te shtëpia tjetër.‎

Trokiti në derë dhe së shpejti derën ia hapi nga gruaja plakë. Kur e pa, ajo filloi ta bekojë dhe ‎të bëjë lutje të hajrit për të. Ndër të tjera, ajo tha: ‘O biri im, Allahu të dhashtë bereqet dhe t’i ‎haptë dyert e hajrit! Allahu të ushqeftë me fryte të xhenetit! Pasha Allahun, o biri im, ti ‎gjithmonë këndshëm po na befason dhe gëzon, Allahu të gëzoftë!’ Ai ia dha edhe asaj një ‎paketë me çokollata, pastaj kërkoi leje dhe shkoi te shtëpia tjetër.‎

Çdo takim me banorët e shtëpive që i vizitoi ishte tregim më vete. Ato ishin simfoni të ‎mrekullueshme të emocioneve dhe ndjenjave më të bukura.‎

E përfunduam shpërndarjen e paketave me çokollata, u kthyem në automobil dhe u nisëm ‎për në shtëpi.‎

Kur u ulëm në automobil, i thashë: “Allahu të dhashtë çdo të mirë, o fqinji im! Është e ‎mrekullueshme ajo që bëre, por unë e kam një pyetje: ‘A nuk do të ishte më mirë që t’ju jepje ‎atyre para, dhe ata vetë të blejnë çka të duan?’ Fqinji qeshi me zë në pyetjen time, sikur iu ‎imponua ajo që e pyeta, pastaj u kthye, e mori një kuti çokollata dhe më tha: ‘Hape, doktor!’‎

E hapa me një kureshtje të madhe dhe me dëshirë që të shohë se çka fshihet në të.‎

Dhe, kisha çfarë të shoh. Përveç çokollatës në kuti, ishin edhe paratë e mbështjella në letër të ‎veçantë. Kjo e rriti habinë dhe konfuzionin tim, andaj e pyeta: ‘Fqinji im i dashur, përse nuk ‎ua ke dhënë paratë drejtpërdrejt? Pse është dashur t’i vendosesh në kuti të çokollatës?‎

Ai më shikoi, buzëqeshi si zakonisht dhe tha: “O doktor, unë jam një njeri që shumë i dua ‎çokollatat dhe i ha për çdo ditë, dhe Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran thotë: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni. Por çkado që të ndani, Allahu e di atë.” (Alu Imran, 92)

Të varfrit dëshirojnë dhe lakmojnë ashtu si të gjithë njerëzit e tjerë. Varësisht nga vlera e mallit ‎përcaktohet edhe masa e tij.‎

Çështjet e kësaj bote dhe veprat i kanë masat e tyre specifike: hekuri matet me tonelata, frytet ‎maten me kilogram, ari (floriri) me gram, diamanti me karat. Ndërsa sa i përket veprave të ‎ahiretit, masa e tyre është thërmia, siç është theksuar në ajetin kuranor: “Ai që ka punuar ndonjë të mirë, qoftë ajo e vogël madje sa thërmia, do ta shohë atë.” (ez-Zilzal, 7)

Kurse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Malli i Allahut është i shtrenjtë, malli i Allahut është xheneti.”

Përkthim: Miftar Ajdini