Shembull i mrekullueshëm i bamirësisë së djalit për nënën e vdekur

746

(A bëjmë edhe ne gjëra të ngjashme?)

Le të bëjmë edhe ne të gjithë shembuj të këtillë të ngjashëm për prindërit tanë të vdekur. Kjo nuk ka të bëjë me leximin e Kuranit:

Një grua dëshironte të shkonte për të mbajtur një ligjëratë në një qendër islame, por nuk kishte askënd që ta transportonte. Ajo e thirri një taksi i cili e çoi deri në adresën e dëshiruar. Ajo në lidhje me këtë rast tregon:

“Kur desha të paguaj për shërbimin e transportit, ia ofrova 15 rialë, por shoferi, një djalë i ri i cili ishte rreth 20 vjeç, refuzoi t’i marrë të hollat, duke më thënë: “Unë jam betuar se nga ata që i transportoj për në xhami, për në Qendrën islame apo për në Spital nuk do të marr asnjë rial. Vetëm do të doja që ata të luteshin për nënën time e cila vdiq tre vjet më parë, andaj të lutem, lutu edhe ti për të. Emri i saj është Nura.”

Pasi u largova nga makina dhe hyra në sallën ku mbahej ligjërata, për këtë i informova të gjitha ato që ishin në ligjëratë dhe i luta që të luteshin për atë grua.

Ato, duke u solidarizuar dhe nga admirimi për atë djaloshin, mblodhën edhe donacione vullnetare mes vete për ta paguar gërmimin e një pusi të ujit në emrin e asaj gruaje.”

Falënderimi i takon Allahut të Madhërishëm! Kjo bamirësi i erdhi asaj gruaje për shkak të djalit saj të ndershëm.

Kjo grua tregon se këtë ngjarje e kishte përmend sa herë që kishte mbajtur ligjëratë dhe gratë e pranishme kishin bërë lutje për nënën e atij djaloshi.

Ky është shembulli i një djaloshi të ndershëm për të cilin na kujtojnë fjalët e Pejgamberit savs: “ … ose një fëmijë i edukuar mirë i cili i lutet Allahut për të.”

Allahu ju dhashtë jetë fëmijëve tanë dhe i bëftë të dëgjueshëm ndaj nesh!

Allahu i faltë prindërit tanë, prindërit tuaj dhe të gjithë muslimanët!

Përkthim: Miftar Ajdini